Mundësia jetike e Krasniqit

Për boksierin kosovar Luan Krasniqi, ndoshta kjo do të jetë mundësia e fundit që të luftojë për titullin e kampionit të botës në peshat e rënda. Këtë e di mirë edhe vetë 39 vjeçari, i cili në muajin shkurt do t’i rikthehet ringut pas një pauze që zgjati më shumë se dy vjet. “Jam i lumtur që e kam këtë mundësi. Nuk mund të besoj që ky shans ekziston ende”, thotë ish kampioni i Evropës.
Por, para se ta kërkojë titullin e botës, ai do t’i kryqëzojë dorëzat me amerikanin Johnathon Banks më 26 shkurt të vitit të ardhshëm. Edhe pse e respekton kundërshtarin, ai beson se do ta kalojë këtë pengesë për të luftuar më pas me njërin nga vëllezërit Klitschko për titull. “Jam rikthyer në ring vetëm pse e kam mundësinë të luftoj për titull kampioni. Dëshiroj ta bëj atë që nuk arrita ta bëj ndaj Brewster”, vazhdoi ai.
Krasniqi e pranon se në karrierën e tij kishte rënie dhe ngritje, sidomos në meçet e fundit, ku nuk shkëlqeu kushedi sa, por ai është optimist se me punë dhe vullnet do ta realizojë ëndrrën e tij – të shpallet kampion i botës.