E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu në një zë me Thaçin: S’ka ndarje për Kosovën

• Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi janë deklaruar në unitet të plotë kundër propozimit të ministrit serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç për ndarjen funksionale të Kosovës.

Ky propozim është konsideruar krejtësisht i papranueshëm. Më 16 dhe 17 mars, ministri serb, Samarxhiç vizitoi enklavat serbe në pjesën veriore të Kosovës, duke dorëzuar para autoriteteve të UNMIK-ut edhe një propozim të dokumentuar të pagëzuar me emrin "marrëveshje mirëkuptimi për strukturë të përbashkët mes UNMIK-ut dhe Serbisë në Kosovë". Analistët vlerësuan se ky plan mund të provokojë ndarjen e shtetit të ri të pavarur. Serbia në këtë plan kërkoi të qeverisë në komunat serbe. Zv/shefi i UMNIK-ut, Larry Rossin ka konfirmuar se Samarxhiç, me të cilin u takua fundjavën e kaluar, i kishte dorëzuar një dokument i cili sipas tyre paraqiste "një strukturë për marrëdhënie mirëkuptimi mes Serbisë dhe UNMIK-ut", por Rossin tha se nuk mund të komentojë mbi përmbajtjen e këtij dokumenti. 
Rossin ka deklaruar se për UNMIK-un, ndarja e Kosovës në çfarëdo baze është e papranueshme. Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi, kanë hedhur poshtë çfarëdo mundësie të ndarjes së Kosovës. Duke komentuar komentin e ministrit serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, Sejdiu dhe Thaçi kanë thënë se çfarëdo propozimi që ofron ndarjen, është i papranueshëm për shtetin e Kosovës. Presidenti Sejdiu ka thënë se për këtë propozim nuk është biseduar me UNMIK-un, sepse ai nuk u është dërguar institucioneve kosovare, por vetëm misionit të Kombeve të Bashkuara. "Kurdo që dikush del me idenë për ndarje, ne nuk kemi përgjigje tjetër. Ne, Kosovën e trajtojmë në kufijtë integralë. Ka vështirësi në veri që datojnë më herët, por ne do të kërkojmë nga UNMIK-u, EULEX-i dhe NATO-ja që të ruajnë sigurinë, sepse kjo është në interesin e rajonit", ka thënë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai ka shtuar se "institucionet e Kosovës do të jenë partnerë të mirë që do të bashkëpunojnë në funksionalizimin e gjithë Kosovës dhe në të gjitha pjesët e saj". Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë edhe më i prerë. "Në Beograd mund të hartojnë plane dhe ide të ndryshme, të këqija e edhe më të këqija për Kosovën, por ato janë të papranueshme për institucionet e shtetit të Kosovës. Kosova ka institucionet e veta legjitime me autoritet të plotë në gjithë territorin e saj. Ka gjithashtu edhe bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare dhe NATO-n. Rrjedhimisht, propozimet e Beogradit për Kosovën janë të papranueshme dhe nuk mund të zbatohen", ka thënë Kryeministri Thaçi. Ai, mediave kosovare u ka rekomanduar që të mos merren shumë me këto plane, për të shtuar se Kosova është shteti më i sigurt dhe më i mbrojtur dhe se territori i saj është unik dhe i pandashëm. UNMIK-u ka bërë të ditur se planin e ka dërguar në New York, por zëvendësshefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Larry Rossin, ka deklaruar se për UNMIK-un ndarja e Kosovës në çfarëdo forme është e papranueshme.

Arrestohet drejtori i Aeroportit
Sektori i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në kuadër të Shërbimit Policor të Kosovës ka arrestuar sot tre të dyshuar. Mes tyre është edhe Afrim Haziri, drejtor i Aeroportit të Prishtinës. Arrestimet janë bërë në bazë të dyshimeve për "shpërdorim të detyrës zyrtare", "ushtrim të ndikimit, mashtrimit në detyrë" dhe "lidhje të kontratës së dëmshme".

Dilemë zgjedhjesh
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë do të mbahen nëse kërkohet nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar. Ndërsa partitë politike opozitare thonë se zgjedhjet duhet të mbahen pas nëntë muajsh, sepse një gjë e tillë parashihet edhe në pakon e Ahtisarit.

Në institucione financiare
Qeveria e Kosovës thotë se është në fazën e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare. Sipas ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, Kosova është në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga më shumë vende, gjë që do të rrisë edhe kuotën e votave për anëtarësim në organizatat financiare e monetare ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›