E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria shkrin Komisionin e Shërbimit Civil

Opozita ka vlerësuar se, drafti për Gjykatën Administrative, ka mangësi të mëdha. PS-ja ka paraqitur propozimet e veta.

Megjithëse largimet nga puna të nëpunësve me statusin e nëpunësit civil, mbeten ende një problem për administratën e brishtë publike, qeveria ka vendosur që t'i heqë kësaj kategorie dhe avokatin e të drejtave të saj, Komisionin e Shërbimit Civil.


Nuk bëhet ende fjalë për një vendim të kësaj mazhorance, por për një projekt të qeverisë, e cila po mendon seriozisht për shkrirjen e këtij institucioni.


Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje, Ministria e Drejtësisë, e cila në një material shkresor që ka paraqitur në Kuvend në lidhje me projektligjin, "Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative", ka argumentuar si të panevojshëm funksionimin e një institucioni të tillë.


Sipas kësaj ministrie, krijimi i Gjykatave Administrative do të nxjerrë jashtë loje fushën e veprimit të Komisionit të Shërbimit Civil, pasi të gjitha animimet apo pretendimet e nëpunësve me status civil, do të mund të zgjidhen në gjykatat e posaçme që pritet të krijohen.


"Ministria e Drejtësisë, bazuar edhe në diskutimet e fundit mbi këtë projektligj, çmon se duhet ndërhyrë edhe në dispozitat transitore të tij, për të mundësuar shkrirjen e Komisionit të Shërbimit Civil dhe kalimin e çështjeve për shqyrtim, Gjykatave Administrative", - thuhet midis të tjerave në këtë material sqarues, që kjo ministri i ka paraqitur Komisionit Parlamentar të Ligjeve, në kuadër të diskutimeve rreth draftit për gjykatat administrative, që kërkohen të ngrihen për herë të parë në vendin tonë.

Siç edhe argumenton ekzekutivi, krijimi i këtyre gjykatave do të bëjë të mundur gjykimin dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të karakterit administrativ, për rrjedhojë edhe të çështjeve të pushimeve nga puna.


Ndërkohë, nëpërmjet këtij materiali, qeveria bën të ditur edhe tërheqjen e saj nga një sërë çështjesh të tjera, për të cilat, deri më tani kanë shprehur shqetësim pothuajse të gjitha institucionet që asistojnë në vendin tonë, në fushën e krijimit të legjislacionit, sidomos të atij që ka të bëjë me rendin dhe drejtësinë, si EURALIUS-i dhe SIGMA.


Kështu, ekzekutivi ka pranuar të përfshijë në këtë draft propozimin për dyfishimin e afateve të veprimeve gjyqësore, dhënien e mundësisë ekspertit për të lexuar dokumentet e hartuara prej tij, pa qenë e nevojshme leja e gjykatës, e drejta e OJF-ve për të ngritur padi, si dhe parashikimi për sistemin e seksioneve në godinat e gjykatave të rretheve gjyqësore.


Ndërkohë, nga ana tjetër, opozita, megjithëse ka shprehur votën e saj pro në parim për këtë nismë ligjore, ka kërkuar nga mazhoranca mirëkuptimin për të mos u nxituar në votimin e tij, me qëllim që në debat të përfshihen edhe të gjithë aktorët e interesit.

Për këtë qëllim, ajo ka depozituar pranë Komisionit të Ligjeve një mendim të sajin të detajuar, ku evidentoheshin të gjitha sugjerimet që kjo forcë politike bën për përmbajtjen e projektligjit në tërësinë e vet.


"Duke vlerësuar prurjet pozitive të projektligjit, konstatojmë se ende ka nevojë për trajtim shumë më të kujdesshëm të disa aspekteve të tij lidhur me disa zgjidhje të përcaktuara në projektin e paraqitur, si dhe për ripunim e riformulim në një sërë dispozitash të veçanta.


Në vlerësimin tonë, në tërësinë e tij, p/ligji ka disa mangësi serioze", - u shpreh Fino, duke lexuar qëndrimin e dokumentuar në emër të deputetëve socialistë.

Gjithashtu, socialistët vërejnë në qëndrimin e tyre një mungesë transparence dhe konsultimi me institucionet e pushtetit gjyqësor gjatë hartimit të këtij projektligji, si dhe kontradiksione me Kodin e Procedurës Civile dhe me Kodin e Procedurave Administrative.


Si pasojë e këtyre vërejtjeve, Komisioni i Ligjeve ka vendosur me konsensus për t'u ulur edhe një herë ekspertët e të gjitha palëve, për të integruar të gjitha qëndrimet dhe vërejtjet e paraqitura për këtë projektligj, i cili për t'u miratuar, kërkon 3/5-ën e votave

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›