E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peticion Parlamentit për Gjykatat Administrative

03/12/2009  Biznesi: Ky është mekanizmi për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe bizneseve

“Parlamenti duhet të miratojë sa më shpejt ligjin për Gjykatat Administrative. Ai mbështetet si nga biznesi, ashtu edhe nga shoqëria civile”. Ky ishte mesazhi i tryezës së rrumbullakët me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të shoqërisë civile, të organizuar në Lezhë nga Koalicioni në Përkrahje të Gjykatave Administrative, me mbështetjen e Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II (MÇA2).

Diskutimi

Në diskutimet e zhvilluara gjatë tryezës u vu në dukje se sistemi i Gjykatave Administrative do të jetë një mekanizëm i efektshëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat ligjore të të gjithë qytetarëve lidhur me çështjet administrative që kanë të bëjnë, ndër të tjera dhe me punësimin në institucionet shtetërore, prokurimet publike, tatimet, doganat, pensionet, regjistrimin dhe licencimin e biznesit, regjistrimin e pasurive të patundshme, apo dhe kthimin e kompensimin e pronave. Në vazhdim të tryezave të rrumbullakëta në Kukës, Shkodër, Dibër e Gjirokastër, pjesëmarrësit nënshkruan dhe peticionin drejtuar Parlamentit shqiptar, ku kërkohet miratimi pa vonesa të tjera i ligjit, i cili ndodhet në programin e punës së deputetëve, si dhe planifikimi nga qeveria i buxhetit të duhur për ngritjen e gjykatave administrative gjatë vitit 2010 e përcaktimi i mjediseve, ku ato do të veprojnë.

Risitë

Ndër risitë e projektligjit i cili është përgatitur me ndihmën e eksperteve nga Bashkimi Evropian është pasi ai e vendos shtetin dhe qytetarët (individë, biznes dhe organizata të tjera), në pozita të barabarta, duke e kaluar barrën e provës mbi institucionet shtetërore, shkurton kohën për gjykimin e këtyre çështjeve nga një mesatare ekzistuese prej 130 ditësh në Gjykatën e Shkallës së Parë në një maksimum prej 60 ditësh, shkurton në 10 ditë kohën për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatave Administrative, si dhe u njeh atyre kompetencën për të ekzekutuar vendimet e veta, nëse institucionet shtetërore nuk e bëjnë këtë në kohën e duhur.

Miratimi

Për të miratuar këtë ligj është e nevojshme prezenca dhe vota pro e 84 deputetëve të parlamentit shqiptar. Aktualisht ky ligj po mbahet peng për shkak të bojkotit të opozitës, e cila nuk pranon të jetë pjesë e kësaj legjislature, nëse nuk hapen kutitë e fundit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkaq maxhoranca është shprehur pro ngritjes së këtyre gjykatave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›