E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Rritje e cilësisë së produkteve bujqësore

04/12/2009  Plani i Zhvillimit Rural

Politikat e qeverisë do të synojnë rritjen e cilësisë së produkteve bujqësore dhe atyre ushqimore, si dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre. Deklarata vjen nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, i cili ka marrë pjesë në konferencën e Institutit italian për Tregtinë e Jashtme ku janë ndarë Certifikatat e Cilësisë së 19 firmave të përzgjedhura në Sektorin e Peshkimit dhe atë Agroushqimor. “Një vend shumë të rëndësishëm në strategjinë për sektorin e bujqësisë dhe ushqimit zënë politikat e cilësisë dhe rritjes së konkurrueshmërisë, e ndër to, ato të hartimit të standardeve për produktet bujqësore ose të përpunuara në përputhje me normat e BE-së”, - tha ministri. Sipas Rulit, përpjekjet janë përqendruar në mënyrë të veçantë në vendosjen e emërtimeve sipas origjinës gjeografike të produkteve, si dhe nxitjen e sigurisë ushqimore të produkteve bujqësore ose të përpunuara, që në tërësinë e tyre konsiderohen të domosdoshme dhe te detyrueshme. “Ne kemi orientuar mbi mënyrat e përmbushjes së këtyre detyrimeve, si vendosja e kërkesave të sistemeve të autokontrollit HAÇP dhe adoptimi i standardeve të ISO, përmirësimi i kontrollit të kushteve higjieno-sanitare te agrobizneseve. Kandidimi për t’u pranuar në BE ka trokitur dhe porta e kësaj paradhome pritet të hapet. Po hartojmë Planin Kombëtar të Zhvillimit Rural dhe kemi avantazhin që të përafrojmë nga pikëpamja legjislative ato zhvillime në drejtim të sigurisë ushqimore që përbëjnë zhvillime të kohëve të fundit për vetë BE-në”, - tha ministri Ruli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›