E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungojnë deputetët në Kuvend, bllokohet votimi i 7 projektligjeve

 Mungesa e deputetëve të maxhorancës bllokon votimin e projektligjeve në seancën parlamentare. Mos prania e opozitës ka detyruar që drejtuesja e seancës, Jozefina Topalli, të mos ketë mundësinë e hedhjes për votim të 7 projektligjeve. Në seancën e djeshme parlamentare kanë munguar të paktën zyrtarisht pesë deputetë. Demokratët Ilir Rusmali, Lajla Përnaska, Mesila Doda dhe Arenca Trashani kanë qenë në përbërje të delegacionit shqiptar në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës. Ndërsa zëvendëskryeministri Ilir Meta, deputet i LSI-së, nuk ka qenë në Shqipëri për shkak të një vizite zyrtare. Ndërsa ka rënë në sy dhe mungesa e kryeministrit Sali Berisha dhe të disa prej ministrave të tjerë të kabinetit të tij qeveritar. Kjo ka bërë që seanca të mos realizojë votimin e projektligjeve, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm të deputetëve. Në bazë të Rregullores, për të nisur procesi i votimit duhet të jenë në sallë më shumë se 50 për qind e të gjithë të zgjedhurve si deputetë. Topalli duke konstatuar një gjë të tillë e ka mbyllur menjëherë seancën, duke theksuar se votimet e këtyre projektligjeve do të zhvillohen të enjten e ardhshme. Në rendin e ditës ishin parashikuar që të votohej akti normativ për ndryshimet në Buxhetin e shtetit të vitit 2009. Gjithashtu në rendin e ditës ishin për votim dhe projektligjet "Për festat zyrtare e ditët përkujtimore" të ndryshuar";"Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH)", të ndryshuar"; "Për Autoritetin e Aviacionit Civil" dhe "Për tatimin mbi të ardhurat" të ndryshuar". Gjithashtu në rendin e ditës ishin për votim draftet "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, për ripranimin e personave me qëndrim të parregullt", si dhe "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare, për përgjegjësinë civile për dëmet e shkaktuara nga ndotja, nga karburanti i depozitave, 2001". Seanca ka nisur me vonesë, kjo për shkak se një pjesë e mirë deputetëve ka dashur të shikojë direkt Asamblenë e KiE, në të cilën do të diskutohej rezoluta e dy raporterëve për situatën politike në Shqipëri. b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›