E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Djali i Dades, pako për Orik Shytin

 BLEDAR HOTIPartia Demokratike akuzon familjen e deputetes së PS-së, Arta Dade, si të lidhur me organizatën kriminale "Hakmarrja për Drejtësi". Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli publikoi dje disa foto, në të cilat vërtetohej sipas saj, lidhja e djalit të deputetes me Orik Shytin. "Partia Demokratike dëshiron të njohë opinionin publik me një fakt shumë të rëndë. Pak kush na ka besuar deri dje, po kjo është një provë që fakton të gjitha akuzat e mëparshme se Arta Dade dhe familja e saj janë të lidhura me 100 fije me organizatat më të rrezikshme kriminale të Shqipërisë dhe Ballkanit. Në këtë foto, shohim qartë 2 koli, pra 2 pako që djali i Arta Dades, Alban Dabulla, ia dërgon me postë Orik Shytit, pra njërit prej eksponentëve të organizatës më të rrezikshme kriminale të "Hakmarrjes për Drejtësi". Dhe janë pikërisht lidhjet e krimit ato që e shndërrojnë Daden në njeriun më të besuar dhe zëdhënësen e Jashtme të Edvin Kristaq Ramës. Daden dhe Ramën i bashkon Aldo Bare dhe "Hakmarrja për Drejtësi"", deklaroi Mëhilli. Sipas zëdhënëses së partisë në pushtet, "zonja, që në emër të Ramës kërkon përjashtimin e Shqipërisë nga Këshilli i Evropës nuk është gjë tjetër, dhe kjo foto e fakton, veçse ndrikulla e "Hakmarrjes për Drejtësi" që zbaton urdhrat e kumbarit Edvin Kristaq Rama". Ndërsa në lidhje me këto akuza ka reaguar dhe vetë kreu i PS-së, Edi Rama. "Sali Berisha nxori gjuhën për të ndotur me baltën e akuzave të tij kriminale Sekretaren Ndërkombëtare të partisë për faktin se, po dëshmon në Këshillin e Evropës të vërtetën e hidhur të krizës së demokracisë në Shqipëri. Padyshim që një tjetër padi e pret për akuzat e sotme ndaj Arta Dades në prokurori e në gjykatë", deklaroi Rama. Kreu i PS-së theksoi se "Sali Toptani nuk njeh kufi në paturpësinë e tij, ditën që rrëzohet për të gjashtëmbëdhjetën herë në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës e të interesave që Kushtetuta mbron, i vërsulet opozitës si rrezik për vendin, duke nxjerrë gjuhën për të bërë pis opozitarët që nuk i emëron dot në delegacionet e Parlamentit dhe as i dërgon dot korridoreve të Evropës për të bërë avokatinë e pushtetit të tij, të fundosur në llumin e padrejtësive". Pas një "paqeje" të përkohshme PD-së dhe PS-së kanë rinisur akuzat. Shkak i rritjes së tensionit politik ishin dhe përplasjet mes dy forcave kryesore politike, në lidhje me përfaqësimin e delegacionit shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës.Orik Shyti: Pakot postare nuk kishin asgjë të paligjshmeTIRANE - Orik Shyti, i dënuar si një nga drejtuesit e Hakmarrjes për Drejtësi, reagoi dje në lidhje me akuzat politike të bëra ndaj tij, duke thënë se kryeministri Sali Berisha "sa herë që është në vështirësi thërret në ndihmë "Hakmarrjen për Drejtësi". Shyti akuzon se Berisha e shpiku "Hakmarrjen" në prag të zgjedhjeve lokale të 20 tetorit 1996. "Që nga ajo kohë është ndodhur në vështirësi edhe shumë herë të tjera. Gjithnjë për shkak të bëmave të tij e ka thirrur në ndihmë bijën e tij ilegjitime "Hakmarrjen për Drejtësi". Këtë bëri edhe sot (dje), më 28 janar 2010. Provat që demonstron para kamerave janë mandat-postat që një qytetar i lirë, i njohur i imi, postoi kolitë që nuk kishte kush t'i postonte. Ato nuk kishte kush t'i postonte, sepse familjarët kanë marrë arratinë nga përndjekja e pandalshme, shumëvjeçarë e kriminale e Sali Berishës", thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Orik Shyti.Kreu i Hakmarrjes, azil në ZvicërOrik Shyti, i akuzuar nga drejtësia si një nga drejtuesit e "Hakmarrjes për Drejtësi", ndodhet jashtë Shqipërisë, siç besohet në Zvicër, ku fitoi azilin politik. Vitin që shkoi ai u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë, për një sërë akuzash mes të cilave edhe "organizatë kriminale". Dënimi ndaj tij u la në fuqi nga Apeli, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë ku është bërë ankim nga avokatët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›