E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu, Tepelenë: Zgjidhja e pronës, elementi kyç për anëtarësimin në BE

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu zhvilloi disa takime me banorë të Tepelenës. Duke folur mbi reformat e ndërmarra nga qeveria dhe rëndësinë e zgjedhjeve të lira, kreu i Republikanëve u ndal dhe tek çështja e pronës dhe ish-pronarëve. Në këtë takim parazgjedhor, ai u ka bërë thirrje të gjithë ish-pronarëve që të mos lejojnë individë të caktuar që ti përfaqësojnë, individë që, për interesa personale politike kërkojnë të prishin marrëdhënien midis PR dhe ish- pronarëve. Që në themelimin e saj, PR ka kërkuar kthimin e pronës te pronari i ligjshëm duke ngritur zërin në parlament, për legjislatura të tëra, mbi plotësimin e kërkesave të ish-pronarëve, si asnjë forcë tjetër politike si në maxhorancë dhe në opozitë. PR është e bindur se duke u kthyer prona te i zoti, Shqipëria do të ketë zhvillim ekonomik dhe se zgjidhja e çështjes së pronës është elementi kyç për anëtarësimin në BE, nënvizoi ai. Gjithashtu gjatë fjalës së tij, kryetari i Republikanëve theksoi dhe rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe ndershme në 28 qershor, në mënyrë që vota e shqiptarëve të jetë e pakontestueshme, pasi, siç cilësoi ai, këto zgjedhje do të jenë përgjigja më e mirë për arritjet dhe sukseset e maxhorancës në këto 4 vite në pushtet. Besimi që do të na japin shqiptarët për një mandat të dytë, do të na inkurajojë në luftën e mëtejshme kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformave të suksesshme, në mënyrë që ashtu si arritëm te anëtarësimi i Shqipërinë në NATO, të anëtarësohemi dhe në BE, theksoi Mediu. Në këtë takim, republikanët kanë përzgjedhur kandidatin e tyre për deputet në zgjedhjet parlamentare, Dritan Hotajn.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›