Tirana, asnjë stacion urban për linjat ndërqytetase
Ende Bashkia e Tiranës nuk ka përcaktuar një stacion përfundimtar për linjat e furgonëve dhe autobusëve, të cilët shërbejnë për transportin e udhëtarëve drejt qyteteve të tjera të vendit. Kështu, si udhëtarët ashtu dhe shoferët e furgonëve për rrethet, vuajnë mungesën e një vendi stacioni të përcaktuar përfundimisht nga Bashkia e Tiranës. Ata qëndrojnë sa në një vend në një tjetër, duke u luftuar çdo ditë me Policinë e Qarkullimit Rrugorë, e cila po i masakron me gjobat e rënda.
Më problematike paraqitet situata për linjat e furgonave që bëjnë linjën nga kryeqyteti drejt qyteteve të veriut, të cilët prej vitesh nuk kanë njohur në vend ku të kenë të drejtë ligjërisht të qëndrojnë. Mjetet e transportit publik ndërqytetës, qëndrojnë më shumë ilegalisht nëpër cepa të rrugëve, mbas pallateve dhe duke dalë nëpër rrugë për të mbledhur pasagjer. Kështu mjete e transportit publik drejt Pukës, Krujës, Matit, Dibrës, Tropojës, Mamurrasit etj., nuk kanë një stacion të përcaktuar nga bashkia. Jo rrallëherë shoferët e mjeteve të transportit publik, janë ankuar për mungesën e një stacioni, gjithashtu ata edhe kanë protestuar me greva, duke ndërprerë shërbimin në shenjë revolte. Megjithatë, kryeqyteti vazhdon të mbete pa një stacion për shërbimin urban ndërqytetës dhe ende nuk është planifikuar asnjë projekt për një zgjidhje në të ardhmen. Edhe në rastet, kur përkohësisht është caktuar ndonjë vend për ndonjë linjë furgonësh, vendi është caktuar tepër larg zonave kryesore dhe lehtësisht për tu gjetur. E njëjta problematikë paraqitet edhe për qytetarët, të cilët duan të udhëtojnë drejt rretheve të vendit. Për shkak të ndryshimit të vendit në mënyrë të herëpashershme të mjeteve të transportit publik, qytetarët nuk orientohen dot për ti gjetur ato. Gjithashtu, edhe autobusët nuk kanë një vend të përcaktuar përfundimisht ku mund të qëndrojnë në stacion. Ata i lëvizin në vende të ndryshme brenda një kohe të shkurtër, duke e vështirësuar në këtë mënyrë tej mase transportin publik. Bashkia e Tiranës, gati prej 10 vitesh në pushtet, ende nuk krijuar një stacion për mjete e transportit publik. Është për të ardhur keq, kur Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë, e cila nuk ka ende një stacion të mirëfilltë për shërbimin urban ndërqytetës.