E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Bashkëpunimi Shqipëri- Rumani afron dy vendet

Ministri i Jashtme, Lulzim Basha, gjatë takimit të zhvilluar me ambasadorin e ri të Rumanisë në vendin tonë, Viorel Stanila ka inkurajuar intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik me këtë vend. Ministri Basha vuri në dukje se intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve do t'i shërbejnë dhe aktivitetet e parashikuara për periudhën maj-qershor 2009, duke përmendur në këtë drejtim mbajtjen e sesionit të radhës së komisionit dypalësh ekonomiko-tregtar, si dhe vizitën e drejtuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Bukureshtit dhe Rumanisë në Shqipëri. Duke folur për bashkëpunimin rajonal, ministri Basha e konsideroi atë si të domosdoshëm për proceset integruese rajonale. Pavarësia e Kosovës dhe ecuria e proceseve integruese të vendeve të rajonit forcojnë paqen në rajon, rrisin sigurinë dhe progresojnë drejt zhvillimit. Kjo frymë kohezioni shumëpalëshe nuk duhet të pengohet nga problematika të ngushta dypalëshe, u shpreh Basha. Nga ana e tij, ambasadori rumun, Viorel Stanila shprehu gatishmërinë për të kontribuar maksimalisht në nxitjen e marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe. Mbasi përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat për në BE, ai theksoi se kontaktet mes dy vendeve do të vijnë duke u shtuar, në kushtet e një partneriteti euroatlantik, por edhe të një bashkëpunimi më të ngushtë rajonal dhe evropian. Shkëmbimi i vizitave në nivele të ndryshme politike, forcimi i bashkëpunimit ekonomik, rritja e shkëmbimeve tregtare, shkëmbimet kulturore, turistike etj, do t'i sjellin më afër dy popujt dhe vendet tona, nënvizoi ambasadori rumun.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›