E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet, Fierza 46 cm mbi nivel

20/04/2010 Situata e rënduar hidrike ka bërë që të shtohen kapacitetet shkarkuese nga liqenet

Eksport rekord energjie, dje 17 milionë kwh. Stojku: Po monitorojmë me kujdes situatën

Niveli i liqenit të Fierzës kapërcen kuotën maksimale të lejuar dhe Komisioni i posaçëm i Digave urdhëron shtimin e kapacitetit të portave të shkarkimit në të tre hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin. Sipas të dhënave të drejtuesve të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare mësohet se niveli i ujit gjatë paradites së djeshme ishte 296,46 m çka do të thotë 46 cm mbi kuotën maksimale. Kjo situatë ka detyruar Komisionin e posaçëm të Digave që të shtojë kapacitetet e shkarkimit të portave, ndërkohë që mësohet se nuk ka rrezik përmbytje për zonën e Nënshkodrës. Nga Fierza mësohet se reshjet e shirave të vazhdueshme të këtyre ditëve kanë shtuar prurjet në 1200 metër kub për sekondë, çka kanë rritur dhe nivelin e ujit. Kjo ka bërë që brenda 24 orëve të fundit niveli i ujit në këtë liqen të rritet me 20 cm. Ndërsa shkarkimet janë në nivelin e 650 metër kub për sekondë dhe bëhen me 4 turbina. Reshjet e shumta të shiut kanë rritur nivelin e lumenjve në Valbonë dhe në lumenjtë e tjerë që kanë derdhje në liqenin e Komanit dhe në Vaun e Dejës. Ndërkohë, KESH-i po e ndjek me kujdes situatën e krijuar në zonë për të eliminuar në maksimum pasojat që mund të vijnë nga hapja e portave të shkarkimit në liqenet e hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin. “Aktualisht po monitorojmë me kujdes situatën dhe nuk ka rrezik të përmbytjeve, por duhet të ruajmë nivelin në liqenin e Komanit ku bëhen dhe shkarkimet”, deklaroi Drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku. Sipas tij, nga liqeni i Fierzës po shkarkohet afërsisht 650 metër kub ujë për sekondë, nga Komani 600 m3/ujë dhe nga Vau i Dejës shkarkimet janë 750 metër kub. Gjithashtu, ai theksoi se deri tani nuk ka përmbytje, por po monitorohet situata për mundësinë e shkarkimeve pa shkaktuar përmbytje. Sipas Stojkut, që më 15 prill është lajmëruar pushteti lokal në zonën ku mund të shkaktohen përmbytjet si dhe emergjenca civile. “Shkarkimet do të vazhdojnë derisa sinoptika të përmirësohet dhe prurjet të ulen në liqenin e Fierzës”, tha Stojku, ndërsa vuri theksin në prodhimin maksimal të energjisë. Prodhimi ditor i energjisë elektrike ka arritur në 30 milionë kilovat orë, ndërsa ai i eksportit, arrin në 17 milionë kilovat. Sipas të dhënave më të fundit mësohet se aktualisht po eksportohet mbi 50 milionë kwh energji dhe shkëmbehen 2 milionë kilovat orë energji”. Nga ana tjetër në Ministrinë e Energjetikës, Komisioni i Digave është në monitorim të vazhdueshëm të situatës”. Situata është e tillë që duhet mbajtur në vëzhgim në çdo moment dhe kjo po bëhet nga Grupi i Posaçëm dhe Sekretariati Teknik. Në këto tre ditë në vazhdim parashikohen reshje të shumta. Shkarkimet do të vazhdojnë. Nuk jemi në kushte alarmante që të themi se do të ketë rrezik përmbytjeje”, deklaroi dje gjatë mbledhjes se këtij Komisioni zv/ministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri.

Fierza

Prurjet e ujit në Hidrocentralin e Fierzës kanë arritur në 900 m3 në sekondë, ndërsa niveli arriti dje në 296.46 metër. Portat e shkarkimit të këtij hidrocentrali vazhdojnë të shkarkojnë, derisa prurjet të ulen në 700 m3/ujë. Kapaciteti shkarkues në këtë liqen është 650 m3/ujë në sekondë, ndërkohë që shkarkimet do të vazhdojnë.

Koman

Liqeni në hidrocentralin e Komanit vazhdon të jetë shumë afër nivelit maksimal të tij. Sipas METE-s, dje niveli i ujit arriti në 174.22 metër nga 175 që është niveli maksimal i lejuar. Porta e hapur në këtë liqen shkarkonte 600 m3/ujë në sekondë, ndërkohë që prurjet ishin 380 m3/ ujë. Prodhimi në këtë hec arriti në 60 MWH, pra kapacitet i plotë.

Vau i Dejës

Liqeni në hidrocentralin e Vaut të Dejës vazhdon të jetë shumë afër pikës maksimale të lejuar. Kështu, mësohet se dje në këtë liqen janë regjistruar prurje anësore në masën 100 m3/ujë që kanë ndikuar në çuarjen e nivelit në 75,08 metër, ndërkohë që porta e hapur po shkarkon 750 m3/ujë në sekondë dhe po prodhohet 250 MWh energji..

Siguria

Me gjithë reshjet e shumta të shirave dhe mbushjes së liqeneve të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin, në asnjë moment nuk cenohet siguria e digave. Sipas ekspertëve të KESH-it, situata është shumë normale për sa i përket sigurisë, ndërkohë që vëmendja është përqendruar në mbajtjen në kontroll të përmbytjeve për të eliminuar dëmet.

KESH, reshjet hapin 3 herë portat e shkarkimit të liqeneve

Prej ditësh kjo situatë e vështirë reshjesh po përbën një lajm shumë të mirë për KESH-in, i cili po realizon prodhimin më të lartë prej shumë vitesh. Por bilanci pozitiv i KESH-it u shoqërua nga dëme të konsiderueshme në Nënshkodër, e cila deri më tani ka përjetuar 2 përmbytje të mëdha. Për këtë vit është hera e tretë që KESH hap portat shkarkuese të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Rasti i parë erdhi në janar, periudhë gjatë së cilës shkarkimet zgjatën rreth dy javë dhe një pjesë e mirë e zonës së Shkodrës e Nënshkodrës u përmbytën. Një muaj më vonë, në shkurt, për shkak të shirave dhe shkarkimeve që bënte Maqedonia nga Ohri, u rihapën portat e hidrocentraleve, por këtë herë përmbytja ishte në nivele më minimale se e para. Tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar në eliminimin e pasojave që mund të vijnë si pasojë e hapjes së portave të shkarkimeve të hidrocentraleve, ndërkohë që përfaqësuesit e pushtetit vendor të zonës së rrezikuar janë njoftuar që në datën 15 prill të marrin masa për eliminimin e çdo dëmi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›