E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muo: Çelsi kujdes, ky është Interi im

Inter

Zhoze Murinjo konfirmohet si një trajner që i pëlqen t’i provokojë kundërshtarët. Tashmë që përballja me çelsin në Champions League po afrohet, tekniku zikaltër, i cili dje festoi 47-vjetorin e lindjes (“Dhurata më e bukur? Të mundim Juven të enjten në Kupë”), ka ndezur sfidën, duke paralajmëruar rivalët e ardhshëm në aktivitetin më prestigjioz për klube. Në një intervistë për “Times”, portugezi nënvijëzoi se Interi, “sipas imazhit tim”, nuk i trembet askujt dhe e cilëson skuadrën aktuale, si më të mirën që prej momentit kur u emërua në krye të stolit: arsyeja kryesore janë përforcimet në merkato, me lojtarët që tekniku kërkonte. E përditshmja britanike nga ana e saj theksonte sesi në formacionin titullar, që të dielën në mbrëmje mposhti 2-0 Milanin, kishte pesë lojtarë të rinj, në krahasim me skuadrën e vitit të kaluar, që u mposht nga Mançester Junajtid. “Mendoj se kjo skuadër është më e mirë se ajo e vitit të kaluar, shumë më e mirë”, deklaroi Murinjo. “Nëse të gjithë lojtarët janë në formë të mirë, do të kemi më shumë zgjidhje taktike. Kundër Milanit luajtëm pa Eto’o, Stankoviç e Kivu, megjithatë arritëm të hidhnim në fushë një ekip fitues. Jemi një klub i fortë. Interi i tanishëm është skuadra ime, ashtu si unë e dua”. Më tej, trajneri luzitan shtoi: “Vit pas viti kam bërë ndryshime sipas filozofisë time. Sfida me çelsin në Champions? E kemi të qartë se përballemi me një skuadër të madhe, por edhe çelsi e ka të qartë se nuk do ta ketë të lehtë. I njoh dhe më njohin mirë, në këtë këndvështrim askush nuk është i favorizuar”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›