Zero-tolerancë dhunës në futboll
Antidhunë
Incidentet e fundit të dhunshme në futboll kanë vënë në lëvizje të gjitha strukturat e shtetit dhe atyre të sportit. Pas ngjarjeve shëmtuara, të shfaqura në disa stadiume të vendit tonë, duke marrë shkas në dy takimet e futbollit, Flamurtari-Besa dhe Tirana–Dinamo, nën drejtimin e zv.ministrit të MTKRS, Dashnor Bajazti, u mblodh në MTKRS, Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës për të analizuar situatën aktuale. Në këtë takim morën pjesë zv. ministri i Ministrisë së Brendshme, Avenir Peka, drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, përfaqësues të KOSH–it z. Vojo Malo, sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së z. Eduart Prodani, dhe kryetarin e Shoqatës së Gazetarëve z. Besnik Dizdari. Gjatë këtij takimi, u shpreh shqetësimi i MTKRS, për ngjarjet e ndodhura, u diskutua lidhur me shkaqet që kanë sjellë këto fenomene, si dhe format e menjëhershme që duhen marrë për parandalimin e tyre. Në përfundim të këtij takimi Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës arriti edhe në disa vendime: “1. Federata Shqiptare e Futbollit, komisionet e saj të analizojnë me përgjegjësi situatën e krijuar në stadiumet tona dhe të veprojnë konform rregulloreve përkatëse. Të mos ketë tolerancë për gjyqtarë, futbollistë e drejtues, shkaktarë të dhunës. Të marrë masat që këto fenomene të mos përsëriten, për të parandaluar dhunën në aktivitetet kombëtare. 2. Lidhur me forcat e rendit, duhet të ketë një bashkëpunim më efikas midis tyre e Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe klubeve që organizojnë aktivitetin. Të diskutohet për një formë të re menaxhimi të forcave të sigurisë para dhe gjatë një ndeshjeje të aktiviteteve kombëtare dhe ato ndërkombëtare. 3. Në zbatim të Ligjit të Sportit të përcaktohet në bashkëpunim me një urdhër të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, rregullat për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në mjedise sportive, për një mënyrë të re bashkëkohore të vendosjes së forcave të rendit në stadium.
#