E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rafa Benitez në pole, nëse largohet Ferrara

Juventus

Spanjolli Rafa Benitez është zgjedhja e parë e Juventusit, në rast se drejtuesit do të vendosin të shkarkojnë teknikun çiro Ferrara. Klubi bardhezi, i gjunjëzuar pas humbjes në shtëpi me Romën, i ka kthyer sytë nga trajneri i Liverpulit, i cili është i kënaqur në “Anfilld Roud” për shkak të problemeve financiare të “Reds”. Sipas “The Guardian”, Benitez mund të marrë drejtimin e stolit të Juves në fund të këtij sezoni, edhe pse menaxheri i tij, Manuel Garsia Kuilon, nuk përjashton mundësinë e dorëheqjes së menjëhershme nga gjigandët anglezë. “Benitez te Juventusi? Në futboll nuk mund ta dish asnjëherë se çfarë ndodh, deklaroi ai. Nuk mund të them se ku do të jemi pas katër apo pesë muajve. Në futboll gjithçka ndryshon shumë shpejt, por ajo që duhet të kemi parasysh është se Rafa ka ende edhe katër vjet kontratë me Liverpulin”. Megjithatë, Kuilon hodhi poshtë çdo spekulim se palët kanë arritur marrëveshjen: “Nuk kam pasur asnjë kontakt me Juventusin ose klube të tjera të Serisë A. Kanë qarkulluar shumë zëra se Benitez apo Gus Hidink do të merrte drejtimin e skuadrës bardhezi, por për momentin ato janë vetëm fjalë pa baza”. Ndërkohë, sipas mediave italiane, Ferrara po bën gati valixhet. Pavarësisht rezultatit të ndeshjes në Kupë me Interin (shkarkimi duket i paevitueshëm edhe nëse bardhezinjtë kualifikohen), trajneri do të largohet nga Juventusi të dielën, menjëherë pas takimit me Lacion në kampionat. Ky është vendimi i marrë nga Xhon Elkan dhe Zhan Klod Blank, gjatë mbledhjes që aksionieri më i madh i klubit dhe presidenti bardhezi zhvilluan të hënën.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›