Murati: “Gol Luksemburgut përpara dasmës në Paris”

Me Luksemburgun do të luajë dy ndeshjet e fundit tij me Kombëtaren, një aventurë që e nisi në vitin 1998, fanellë të cilën e mbajti për nëntë vjet me radhë. Murati, i cili deri tani ka zhvilluar 61 ndeshje ndërkombëtare, nga debutimi i tij i parë në vitin 1998, ka shënuar 6 gola ku ai në barazimin me Zvicrën në drejtimin e italianit Dosena dhe tjetri në fitoren me Greqinë, nën drejtimin e gjermanit Brigel janë më të rëndësishmit.
Edvin Murati, i cili më 25 maj zhvilloi ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit Baric, do të mbahet mend gjatë për aventurën e tij të "cmendur" duke zhvilluar katër ndeshje në shtatë ditë, tre me ekipin e tij në Greqi, Panserraikos dhe një me Kombëtaren shqiptare në Angli.
"Lushja", shënoi dhe golin e fitores me Anthraikos (1-0), që mbajti edhe skuadrën e tij të Kategorisë e Dytë greke. "Jam i gëzuar që ia dolëm të qëndronim. U kënaqën të gjithë, duke filluar nga presidenti e deri te tifozët. Kjo faqe historie mbaroi dhe duhet dalë me sukses edhe në atë të Kombëtares", thotë për "Albania-sport"-in, mesfushori këmbëmajtë, i mbiquajtur "Maradona i Ballkanit".
"Duhet dhënë maksimumi si me ekipin ku luaj ashtu dhe me Kombëtaren", - shton ish-futbollisti i Lilës në Francë. "Me Kombëtaren në fakt nuk ke nevojë për motivim, pasi vjen natyrshëm pasi luan për atdheun tënd, familjen tënde".
Edvini rikthehet në Kombëtare pas një mungesë të gjatë dëmtimesh. "Dëmtimet më mbajtën gjatë larg Kombëtares. Kjo bën pjesë në karrierën e cdo lojtari", thotë "Lushja", që shprehet i kënaqur me aktivizimin e tij në miqësoren me Anglinë. "Ndeshja miqësore me Anglinë jo vetëm për mua, por për të gjithë lojtarët ishte një ndeshje luksi. Baric kërkoi të më shihte përpara se të vendostë të më thërriste për ndeshjet zyrtare me Luksemburgun. Duhet patjetër një fitore me Luksemburgun, e cila do të ishte dhe e parë për këto eliminatore".
Ish- lojtari i Iraklisit nuk e fsheh faktin se ka pesë oferta. "Apoeli dhe Larnaka janë dy ekipe qipriote që më kërkojnë. Ato e filllojnë kampionatin shumë herët dhe e nisin fazën përgatitore qysh në muajin qershor. Nuk kam vendosur ende se do të shkoj, pasi pas ndeshjeve me Luksemburgun do të merrem me martesën time në Paris. Gjithsesi, presidenti i Panserraikosit dëshiron të më mbajë në ekip, madje dhe gjërat e mia i kam ende aty. Këtë vit shënova tetë gola për ekipin. Edhe Apollon Kallamarja e Leveadhiakos në Greqi si dhe Bokum në Gjermani, që kishte dërguar dy menaxherë në Angli kanë shfaqur dukshëm interesim për mua. Nuk përjashtoj edhe një ekip turk si dhe nëj rikthim në Francë" – thotë për "Albania-sport"-in, ish-lojtari i Paris Sën Zhermenit
Dy takimet me Luksemburgun janë dhe dy ndeshjet e fundit me fanellën e Kombëtares për Edvin Muratin. "Nuk do të luaj më për Kombëtaren dhe ishallah e mbyll karrierën kuqezi me një gol. Futboll mund të luaj edhe dy-tre vjet dhe më pas do t'i kushtohem tërësisht familjes dhe biznesit që do të hap. "E them me bindje të plotë se në ekip ka plot të rinj me lojtarë të ardhme. Kurrë nuk kam qenë egoist apo të mendoj si individualist".
Dash Frashëri