Riviere: Berati, shembull i qytetërimit osman
BERAT/ DILAVER XHELILI
Pllaka e UNESCO-s është vendosur dje në Berat. Pas pranimit në listën e pasurive botërore në tetë korrik, dje në qytetin e 1001 dritareve është bërë dhe përurimi i pllakës nga personalitete të larta të vendit. I pranishëm në këtë ceremoni zyrtare dje në Berat ishte dhe Kryeministri Sali Berisha, ministri i Kulturës, Ylli Pango si dhe një delegacion i UNESCO-s, me në krye drejtoreshën e Përgjithshme për Kulturën në UNESCO, Francoise Riviere. “21 tetori është dhe do të mbetet një ditë historike për këtë qytet të bekuar, për qytetarët e tij të mrekullueshëm, por edhe për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne vendosëm Beratin në kurorën e margaritarëve të trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Ky qytet është një larmi vlerash mahnitëse në çdo pjesë të tij. Të vizitosh kalanë sheh aty jo vetëm historinë, por edhe shpirtin e kombit tonë. Një nga shkollat më të njohura të ikonografisë evropiane dhe botërore u krijua dhe zhvilloi aty historinë”, shprehet Kryeministri Berisha, i cili ka premtuar se fondet për rikonstruktimin e këtij qyteti do të dyfishohen vitin e ardhshëm. Po aq edhe ministri i Kulturës, Ylli Pango e ka konfirmuar këtë fakt, duke theksuar se vlera totale e investimeve nga buxheti i shtetit për vitin 2008 në monumentet e kulturës arrin 305 milionë lekë. Aktualisht në qytetin që tashmë është bërë pjesë e trashëgimisë botërore,
47 shtëpi janë në proces restaurimi. Ndërkohë për Franciose Riviere, Berati është shembull i rrallë dhe i ruajtur më së miri i qytetit osman, që plotëson vlerën e jashtëzakonshme universale të qytetit muze të Gjirokastrës. “Në zemër të Evropës Juglindore një qytet osman jashtëzakonisht i gjallë dhe i ruajtur mirë, nënshkruan në simbolikën dalluese të vendit tuaj shenjën dalluese të ndikimeve të kryqëzuara të formave të shumta të qytetërimit. Ajo që ne po shohim sot dhe ajo çka na përçon në bashkimin e Beratit dhe Gjirokastrës, nënkupton se si kjo përqasje pajtimi krijues identifikohet me praninë korrekt të kulturës, e prandaj do të doja që në krye të radhës t’i konsideroja si një simbol i fuqishëm i trashëgimisë shqiptare”, shprehet ajo gjatë ceremonisë në Berat. Sipas saj, secili prej këtyre qyteteve meriton admirimin si një ansambël i jashtëzakonshëm. “Të marra së bashku ato nënkuptojnë se e jashtëzakonshmja nuk lidhet aq shumë me bukurinë e tyre, që padyshim është vetvetiu e admirueshme, sesa lidhet me faktin se janë mbartëse dhe dëshmi të qytetërimit njerëzor me larminë e vet. Ky është pikërisht misioni i trashëgimisë botërore nëse sitet dhe monumentet e klasifikuara bëhen objekt i masave të mbrojtjes, ruajtjes, konservimit e restaurimit. Kjo i detyrohet për rrjedhojë faktit se ato e meritojnë si objekte të jashtëzakonshme, por gjithashtu dhe mbi të gjitha faktit të regjistrimit ato marrin statusin e simboleve madhore dhe dinjitetit e larmisë njerëzore”, thotë Riviere. Ndërkaq projektet për këtë qytet i përkasin ndërtimit të një ure mbi lumin Osum, e cila do të reduktojë ndjeshëm trafikun e mjeteve në Urën e Goricës, si dhe një plan rregullues për qytetin e Beratit.