E Hënë, 2 Nëntor 2026

Murinjo: Ishte një mashtrim

14/12/2004  

Trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo, ka bërë të ditur se, skuadra e tij ishte mashtruar pas goditjes së dënimit, të ekzekutuar nga Tieri Henri. Kreu i pankinës së bluve u zemërua së tepërmi, me gjyqtarin e takimit, Graham Poll dhe madje, ka theksuar se ai nuk ka arritur të zbatojë si duhet, gjithë rregullat e domosdoshme në futboll. “Gjëja më e nevojshme është të njohësh rregullat, ka komentuar Murinjo. Në fazën parasezonale disa gjyqtarë të nderuar erdhën në kampin tonë stërvitor dhe e vetmja gjë që ata kërkuan nga ne, ishte për rregullat dhe respektimi i distancës në goditjet e dënimit”. Henri arriti të ekzekutonte goditjen e dënimit në kohën, kur portieri çek, ishte duke rregulluar akoma murin e lojtarëve dhe kjo padyshim, që e ka nervozuar jashtëzakonisht trajnerin portugez. “Unë nuk arrij dot të gjej fjalën e duhur për të përshkruar atë çfarë ka bërë gjyqtari Poll. Mënyra e ekzekutimit të goditjes së dënimit ishte me të vërtetë e padurueshme. Unë për veten time, i njoh fare mirë rregullat, të cilat janë pothuajse njësoj në të gjithë botën. Megjithatë, çdo gjë që ka ndodhur më ka zemëruar së tepërmi dhe mbi të gjitha, më ka bërë të dyshoj, lidhur me rezultatin e takimit. Sigurisht, ky është realiteti në futbollin e ditëve të sotme dhe unë këtë e kuptoj fare mirë, por mendoj se ndëshkimi në ndeshjet e zhvilluara nuk mund të vijë përherë si pasojë e gabimeve të gjyqtarit. Ndërkohë, edhe gjyqtari i takimit Graham Poll, nuk ka qëndruar pasiv, lidhur me komentet që ka dhënë për derbin londinez. “Unë jam i ndërgjegjshëm për rregullat e lojës dhe prandaj, jam treguar mjaft i hapur me Henrin, i cili me mirësjellje më kërkoi për sistemimin e një muri lojtarësh përballë tij, ka thënë Poll. Kjo është e njëjta mënyrë që unë gjykoj ndeshjet si me Çelsin kundër Uest Hemit, apo kushdo qofshin skuadrat, të cilat luajnë. Në përgjithësi, kam pëlqyer të përballem me faktet ashtu siç ato janë”. Probleme me gjykimin e ndeshjeve, ashtu si në të gjitha vendet e Evropës, edhe në Angli, vazhdojnë të bëhen përherë e më të pranishme. Në fakt, trajnerët e huaj si Murinjo, apo Venger, janë të vetmit që përpiqen ta kundërshtojnë më fort vendimin e padrejtë të gjyqtarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›