E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo do fitoren

Ndeshja është delikate. Jo sepse përballë në “Bernabeu” është më i forti i kundërshtarëve, por sepse kjo Levante arriti ta mundë Realin në fazën e parë dhe sepse është shumë e qetë me renditjen që ka. Zhoze Murinjon e shqetëson jo pak kjo qetësi e Levantes.
“Pas një jave në të cilën kemi punuar shumë mirë, mendoj se skuadra mund të bëjë një ndeshje të mirë dhe të marrë 3 pikët. E theksoj se kemi shumë nevojë për fitoren. Bëhet fjalë për një skuadër që di të mbrohet, që di të kundërsulmojë. Levante nuk ka presion, pasi synimi i saj është të qëndrojë në ligë, për të cilin nuk ka problem. Por, ne e dimë se duhet të fitojmë”.-deklaroi Murinjo
Ndonëse Zhoze është trajner i Realit, gazetarët e ngacmuan lidhur me akuzat që vijnë nga Franca se sportistët spanjollë marrin doping, akuza që u nxitën pasi çiklisti Alberto Kontador doli pozitiv dhe u pezullua për 2 vjet.
“Nëse del pozitiv, je pozitiv, nëse del negativ, je negativ. Nëse Kasija ka bërë 500 teste dhe gjithnjë ka dalë negativ, ai nuk ka pse shqetësohet. Unë e kam për nder të them se jam miku i tij. Rafa Nadal bën test çdo ditë dhe gjithnjë del negativ. As ai nuk ka pse të shqetësohet”.- ka thënë Murinjo
Gjithsesi, duke u kthyer tek ndeshja, Reali ka pak probleme dëmtimesh, pasi vetëm Marselo dhe Hamit Altintop nuk janë përfshirë në skuadër për këtë ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›