E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yjet holandeze nen akuze

Holanda është padyshim zhgënjimi më i madh i Euro 2012-ës. “Tulipanët” u paraqitën si nënkampionë bote në Poloni dhe Ukrainë dhe së bashku me Gjermaninë ishin favoritë në “grupin e vdekjes”. Megjithatë, Grupi B është shndërruar në një gijotinë për portokallinjtë, që kanë humbur dy ndeshjet e para me Danimarkën dhe Gjermaninë dhe tashmë shpresojnë vetëm te matematika për t’u kualifikuar.
Holanda duhet të mposhtë Portugalinë dhe të bëjë tifo që gjermanët të mposhtin Danimarkën dhe në situatën e krijuar i pari që vendoset në qendër të akuzave është trajneri Van Marvijk. Kritikat lidhen me intensitetin e ulët dhe motivimin e pakët me të cilin lojtarët janë përgatitur për Kampionatin Europian. Akuzat janë punë e pamjaftueshme dhe thuajse aspak përqendrim për të kaluar grupin e vështirë.
Pas disfatave me Danimarkën dhe Gjermaninë, mes të akuzuarve janë lojtarët. Yje absolutë, por që janë shfaqur në nivele mediokre. Sipas mediave, edhe në ato raste kur luan, Roben është individualist, Sneijder vrapon pa busull, Van Persi nuk është i njëjti si te Arsenali, Van Bomel është i fikur në fushë, ndërsa Afellai duket sikur ka qëndruar në shtëpi. Nëse këtyre i shtohet mbrojtja e vendosur shumë keq dhe Huntelar, golashënuesi më i mirë i Bundesligës që qëndron në stol, kompletohet tabloja e dështimit. Mediat flisnin për “turp”, “dramë” dhe “rënie të trishtë” pas humbjes me Gjermaninë, duke theksuar se eliminimi duket i sigurt. Megjithatë, trajneri Van Marvijk nuk pranon të dorëzohet, duke theksuar se “Holanda ka ende edhe një shans dhe do të luftojë deri në fund”. Më tej, tekniku pohoi se “është e vërtetë që skuadra ka gabuar shumë në Euro 2012, megjithatë cikli ende nuk ka përfunduar”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›