E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo, mbreti i Europës



Murinjo nuk është vetëm special, por edhe unik. Midis ekipeve të mëdha të Europës, vetëm Interi i tij ka humbur një ndeshje, gjithë të tjerat kanë humbur më shumë. Te Interi thonë se nuk është akoma për të folur për arratisje. E thonë edhe ata të Milanit e të Juventusit. Por, pa dyshim që do të vijë diçka e tillë. Por Interi i kësaj periudhe të kujton tmerrësisht forcën e së kaluarës së tij më të lavdishme, kur nuk magjepste, por fitonte thjeshtësisht, pasi ishte më i fortë se të tjerët dhe e dinte këtë fare mirë. Dikush mendonte me vetëdije të plotë se kjo nuk do të përsëritej kurrë e nuk do të kalohej dot ky kufi. Gabim. Me Murinjon gjithçka është tejkaluar. Sot Interi është më i fortë se vitin e kaluar, pasi ka tre lojtarë të mëdhenj më shumë, dy prej të cilëve ende nuk janë në shpërthimin e tyre të plotë. Por, Muntari, edhe pse duket teknikisht larg Lampardit, ka dëshmuar se ka më vazhdimësi se Vieira. Është më i ri dhe i më pasur me energji. Interi ishte i bindur se i kishte këto cilësi, tani më shumë.
Duke parë rezultatet në Superkupën e Italisë, në kampionatin italian dhe në Ligën e Kampioneve, del natyrshëm një e dhënë: midis ekipeve të mëdha të Europës, vetëm Interi ka humbur një ndeshje zyrtare. Derbin kundër Milanit. Barcelona ka humbur në Ligën spanjolle dhe në Ligën e Kampioneve (paraeliminatoret), Milan dy herë në Serinë A, Liverpuli i Rafael Benitezit, armiku historik i Murinjos, ka humbur dy herë (në Premier Ligë dhe Karling Kap), madje edhe ish-skuadra e portugezit, Çelsi, dhe Bajerni i Munihut ka pësuar dy humbje. Reali i Madridit ka humbur 6 herë, Roma 8.
Tetëmbëdhjetë ndeshje me vetëm një humbje, 5 barazime, 11 fitore, plus një barazimi 2-2 me Romën në Superkupën e Italisë, të zgjidhur nga gjuajtjet e penalltisë për Interin (8-7). Vetëm dy herë skuadra e Murinjos nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës, në shtëpi kundër Xhenoas dhe në “Franki” kundër Fiorentinës, dhe nëse nuk do të ishin golat në Qipro, Interi do të ishte edhe skuadra që ka pësuare më pak. Duke kaluar nga turma e sulmuesve në logjikën e rombit, portugezi ka gjetur edhe pikën e ekuilibrit. Për spektaklin ka kohë, e kjo do të shihet me rikthimin e Figos e me rikuperimin e lojtarëve teknikë me Kuarezmën e Mançinin. Por edhe sot, pa cilësinë e dy anësoreve, Interi po udhëton në binarët e cilësisë së lartë. E duhet ta kesh frikë.
Për të qenë i qetë deri në fund të vitit 2008, Murinjo dëshiron kualifikimin e parakohshëm në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Në dy ndeshjet i ardhshme, për të vënë këmbët në një të tetat, i mjafton vetëm një pikë. Do të shkonte në kuotën 9, ku mund të arrinte Verder Bremen nëse do të fitonte të gjitha takimet, por jo Anorthosis dhe as Panathinaikos.

Sekreti
Interi është një grup çeliku

Në fushë, puna e Hoze Murinjos ka prodhuar rezultatin më të mirë të shtunën e kaluar. Zaneti me shokë, në fakt, e vunë poshtë Juventusin jo vetëm në planin e pikëve, por mbi të gjitha në atë të lojës, ritmit, intensitetit dhe përqendrimit. Ishte Interi më i mirë i këtij sezoni. Dhe këtë e theksoi edhe presidenti zikaltër, Morati. Është pak e njohur vetëm ajo që është duke bërë portugezi në dhomat e zhveshje zikaltër. E njohim si mbrojtësin më të jashtëzakonshëm të futbollistëve të tij. Ai vetë i ka përshkruar ata si “grupin më të fortë në botë”. Më pas është shndërruar në akuzuesin më të madh, i ka kritikuar, dënuar, e më në fund edhe i ka shpërblyer. Dhe ata ia kanë shpërblyer.

Morati
“Është duke punuar me formulë”

Pas fitores kundër Juventusit, presidenti i Interit, Masimo Morati, dhe një nga drejtuesit e lartë të Juves, Lapo Elkan, janë takuar së bashku. “Armiku i përjetshëm Lapo”, thotë: “I bëra komplimentet. Interi bëri një ndeshje të madhe, ne ndoshta më pak. Kampionati është akoma i gjatë dhe mungojnë shumë beteja”. Morati, nga ana e tij: “Duket se skuadra ka gjetur lojën. Duket si Interi i Mançinit? Por lojtarët janë njëlloj, për forcën e zakonit mendimi i parë të shkon te Interi i Mançinit. Në realitet besoj se Murinjo është duke punuar me një formulë të tij. Adriano? E dija se do të luante. Kishte luajtur shumë mirë me Brazilin dhe Murinjo kishte menduar të luante dhe kundër Juventusit”.

Drogba
E ardhmja lidhet me Interin

E ardhmja e Didier Drogbas te Çelsi është sërish në dyshim, pasi lojtari është takuar me drejtuesit e Interit dy ditë më parë. Sulmuesi i Çelsit dhe agjenti i tij, Pierre Frelot, sipas lajmeve të publikuara, janë takuar me Marko Brankën, drejtorin Teknik të Interit e Horge Mendesin, agjentin e trajnerit të Interit, Hoze Murinjo, në një restorant të Fulhamit. Është “Gazetta Dello Sport” ajo që publikoi lajmin, duke theksuar se të katërt personat e lartpërmendur janë takuar në Fulham dhe se Drogba është afër Interit. Drogba shkëlqeu nën drejtimin e Murinjos te Çelsi dhe një transferim në Itali do të ishte një sfidë e re për sulmuesin nga Bregu i Fildishtë. Murinjo ka probleme me disiplinën e Adrianos dhe një lëvizje e Drogbasë drejt Interit, do të thoshte se brazilianit do t’i duhej të gjente një destinacion të ri.

Beqaj në dyshim, por Anorthosis ëndërron 16-shen

Arjan Beqaj është ende në dyshim për ndeshjen e Anorthosis kundër Verder Bremenit, e vlefshme për Ligën e Kampioneve, por skuadra qipriote, e parë si e vogël midis ekipeve aristokrate, ka shansin që t’i nxjerrë jashtë kompeticionit kundërshtarët gjermanë nëse do të arrijë një rezultat pozitiv. Skuadra e Beqajt është e dyta në grupin e saj me pesë pikë, vetëm një humbje në katër takime, ndërkohë që Verderi, ende pa fitore, ndodhet në fund të klasifikimit me vetëm tri pikë. Trajneri Ketsbai fitoi një status legjendari për shpërthimet e tij në këtë fazë të Ligës së Kampioneve, duke bërë një performancë shumë më mirë seç kishte parashikuar. 12-herë kampionët e Qipros janë bërë një trademark në Ligën e Kampioneve. Në çdo ndeshje në shtëpi, qysh kur kompeticioni filloi në mesin e korrikut, ka shënuar tre gola për ndeshje. Një tjetër fitore me Bremenin do të thoshte kualifikimin në mes 16 më të mirave të Europës. Anorthosis jeton tani me ëndrrën tjetër që të bëhet ekipi i parë qipriot që kalon fazën e grupeve, por ambiciet e saj nuk ndalojnë këtu. Ata morën kredite të mëdha teksa barazuan 0-0 në Gjermani me Verder Bremenin, shkatërruan 3-1 me Panathinaikosin dhe humbën vetëm 1-0 në Itali me Interin, teksa barazuan 3-3 me skuadrën italiane në Qipro. Njohuritë taktike të Ketsbaias dhe aftësitë menaxhuese të tij e kanë transformuar Anorthosisin modest në një vrasës të gjigantëve europianë.

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›