E Hënë, 2 Nëntor 2026

Murinjo “qesh” me Realin

14/05/2005  Trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo, ka shpërfillur spekulimet që lidhen me interesimin e Real Madrid për Frenk Lampard. Sipas tij, “galaktikët” spanjollë nuk kanë para të mjaftueshme për të siguruar transferimin e mesfushorit anglez. Klubi madrilen pritet të bëjë një ofertë të madhe, për të rinovuar skuadrën e Luksemburgos në merkaton e verës. Lampard mendohet të jetë një nga objektivat kryesorë të madrilenëve, për sezonin e ardhshëm. Ish-mesfushori i Uest Hemit ka treguar një nivel të jashtëzakonshëm për këtë sezon, jo vetëm si organizator i lojës së Çelsit, por edhe si një golashënues i mirëfilltë. Lampard ka bërë për vete gjithë tifozët blu, duke zhvilluar një sezon të shkëlqyer me fanelën e Çelsit, si në Premier Ligë, edhe në Ligën e Kampioneve. Por, pavarësisht nga suksesi i arritur nga Lampard, trajneri portugez i bluve ka hedhur poshtë çdo shans, për transferimin e mesfushorit anglez drejt Spanjës. “Reali i Madridit nuk i ka paratë e mjaftueshme për të paguar transferimin e Frenk Lampard”- ka thënë Murinjo. Po ashtu sipas disa burimeve që vijnë nga klubi madrilen bëhet e ditur se transferimi i Lampard është një çështje, e cila është mjaft interesante, por nuk mund të konkretizohet. “Lampard është një mesfushor shumë i kompletuar, por mbi të gjitha, ai është një lojtar i rëndësishëm për Çelsin, ka deklaruar drejtori sportiv i Realit, Emilio Butragenjo. Duhet të tregohemi realistë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›