Muriqi në superformë para duelit të 31 janarit

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga dueli i tij i radhës në ringun profesionist, boksieri shqiptar Elvir Muriqi është duke vazhduar përgatitjet intensive për përballjen e 31 janarit me amerikanin 31-vjecar Willis Lockett. "Kosova Kid" ka zhvilluar një fazë përgatitëse shumë intensive pavarësisht se në duelin e radhës cilësohet si favorit absolut. Stërvitjet e mundimshme që kanë filluar që në orën 6 të mëngjesit Muriqi ka zhvilluar në kampin Catskill Upstate të Nju Jorkut dhe gjatë kësaj faze ka pasur për sparing-partner ish-kampionin e botës Lou Del Valle, ndërsa në javën e fundit ka stërvitur edhe me boskeirë të tjerë. Trajneri i tij Collin Morgan është treguar mjaft i sigurt për duelin e radhës të Elvir Muriqit duke bërë me dije se me formën që gëzon aktualisht boksieri shqiptar, ai është i përgatitur për sfida edhe më të mëdha sesa ajo e 31 janarit. "Elviri është përgatitur për një kohë të gjatë dhe ai është në një formë shumë të mirë. Unë nuk dua të komentoj shumë por vetëm mund të them se ne jemi të gatshëm për tu përballur me cilindo boksier në botë", ka thënë Morgan.
Elvir Muriqi ka një bilanc prej 34 fitoresh dhe 4 humbjesh në ringun profesionist ndërsa aktualisht renditet në mesin e 20 boksierëve më të mirë të botës në kategorinë gjysmë të rëndë. Dueli kundër Lockett është në kuadrin e ambicies së tij për të fituar të drejtën që të sfidojë sa më shpejtë kampionin e botës në njërin nga katër versionet e mëdha të boksit profesionist.