E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murrey “çmend” Britaninë, fitore e artë me Federer

LONDER-Fitorja e parë e Andi Murrey në Uimbëlldon nuk ka ardhur gjatë turneut të Grand Slemit, por për atë duket se ka kohë. 25-vjeçari skocez i ka dhuruar Britanisë së Madhe një tjetër medalje të artë, duke triumfuar në tre sete 6-2, 6-1, 6-4 ndaj zvicerianit Roxher Federer. Ata ishin përballur me njëri-tjetrin vetëm një muaj më parë në Grand Slem, por aty Roxher kishte fituar. E megjithatë, ëndrra e zvicerianit për të marrë medaljen e artë në Olimpiadë, e vetmja që i mungon në karrierë, është shuar sërish.
Për Murrey, ishte thyerja e një tabuje ndaj Federer, ndërkohë që të pranishmit në Uimbëlldon kanë qenë të gjithë të ekzaltuar. “Mbreti Roxher” kishte fituar më parë ndaj skocezit në US Open 2008, në finalen e Australian Open në 2010 dhe në Uimbëlldon 2012.

Fitorja e fundit ishte vetëm pak javë më parë, por dje ka qenë një “muzikë” komplet ndryshe. Mërrej ka qenë në një formë të jashtëzakonshme fizike, duke përfituar pak edhe nga lodhja e Federer në ndeshjen prej 4 orë e gjysmë kundër Del Potros.
Në fund, skocezi ka festuar në një mënyrë të “çmendur”, ashtu si të pranishmit në “Center Court”. Gjithsesi, Federer ka treguar sërish gjëra të bukura, falë teknikës së tij të lartë, por energjia ka qenë në krahun e Mërrej. Ndërkohë, në tenisin dyshe për femra, motrat Serena e Venus Uilliams janë konfirmuar kampione olimpike, duke fituar 6-4, 6-4 ndaj dy tenisteve çeke Andrea Hlavackova dhe Lusi Hradecka. Ndërkohë, Del Potro fitoi medaljen e bronxit pasi mundi Xhokoviç 2-0 në finalen për vendin e tretë. .

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›