E Diel, 1 Nëntor 2026

Parajsa bëhet Ferr

Port-ou-Prince, 25 janar 2010 –
Zezona ndodhi pothuajse sapo mbërrita në Haiti… Në aeroportin e Port-au-Prince ateruam diku rreth orës katër pasdite. Prej se u nisa nga New Yorku gëzohesha që po kthehem në këtë vend të kontrasteve të mëdha, por me bukuri të rrallë. Në taksi koha kaloi fluturimthi dhe pak para orës gjashtë isha para hyrjes së shtëpisë së Philipit. Kjo ishte rezidenca ime fillestare ku për disa ditë o javë do të qëndroja me shoqen time bullgare, Ralica Konstandinova. Dhe mu aty – ndodhi… Bërë dy-tre hapa drejt portës kur ndjeva sikur po zë thua, ose se po ma marrin anën valixhet. Një dridhje dhe gjëmim buronte nga toka… Unë, megjithatë, mbeta cool dhe më shkoi mendja se kjo është diçka e zakonshme në Haiti. Isha vërtet naive sepse u futa pa frikë në shtëpi. Në atë moment uturima dhe dridhje arritën kulmin dhe Ralica e shqetësuar bërtiti me të madhe që t’i ngjitëm murit masiv.

Kjo goditja e parë ishte intensive, por nuk zgjati shumë. Villa nuk pësoi dëmtime. Dhe nuk vonoi shumë erdhi goditja e dytë. Nuk ishte aq e fuqishme por zgjati më shumë. Kur u zgjatën sekondat Ralica bërtiti: “Është termet! Ikim jashtë… Jashtë!” dhe më tërhoqi në oborr. Vetëm kur dolën në oborr të shtëpisë, më kaploi një ndjenje e keqe, një boshllëk në stomak.

Duke e përqafuar Ralicën e shastisur, u kujtova t’i them asaj atë mendimin tim patëkeq: “Kjo ndodh shpesh këtu, a po?”

Ajo tha : “Jo, nuk ndodh, zemër. Është diçka shumë e keqe… Mirë se vini në zezonë! ”.

Në lagjen Petioville ky ishim, pamë shumë njerëz që kishin dalë jashtë shtëpive dhe shikonin të hutuar se ç’kishte ndodhur. Lagja Petioville është në periferi të kryeqytetit të Haitit dhe për fatin tonë shtëpitë e lagjes janë ndërtime luksoze me konstruksion solid. Ne nuk shihnim me sy ndonjë pasojë apo dëm. Vetëm se ishte tejet brengosëse ajo uturimë që vinte nga thellësitë e dheut dhe atmosfera e ngrysjes së menjëhershme të qiellit. Ishim shumë kureshtarë të shihnim se çka ka ndodhur andej nga shtriheshin lagjet tjera dhe qendra e Port-au-Prince-it. Por, nuk shihe asgjë. Mes nesh dhe qytetit ishte krijuar një perde e madhe e pluhurit, që errësonte gjithçka.

Unë sërish nuk ndjeja frikë, por m’u këputën këmbët dhe u lemerisa, si edhe Ralica, kur menjëherë pasi që u ndalën goditjet e dheut, shpërtheu fuqishëm një gjëmë dhe uturimë e madhe nga qyteti i mbytur në pluhur. I ngjante piskamës që vjen nga stadioni kur shënohet gola, por nuk ishte zhurmë e gëzimit; ishte një klithmë e trishtimit njëqindfish më e fuqishme dhe që nuk u ndal për dhjetëra minuta.

Kur shpërtheu kjo gjëmë na u nginë zemrat: kuptuam se kishte ndodhë fatkeqësia e llahtarshme… Pluhuri i kobshëm nuk do të hiqet edhe dy ditë rresht.
Më vonë atë natë - nuk kemi mundur të bëjmë asnjë sy gjumë - erdhën lajmet se kryeqyteti Port-au-Prince ishte bërë gërmadhë dhe se kishte mijëra të vdekur dhe të lënduar. Ne rinim jashtë në oborr dhe informoheshim, copa-copa, për përmasat e katastrofës nga disa që lëviznin me makina ose vinin nga qendra në këmbë. Nuk u nisem drejt qytetit, sepse ishim të bardhë dhe nuk kishim përcjellje të vendasve. Në Haiti ka rregulla të kujdesit të lëvizjes për të bardhët… Pas disa orësh, megjithatë, nuk na la të qetë ndërgjegjja dhe kureshtja dhe vendosëm që të lëvizim e të shohim si janë punët, sidomos si janë miqtë tanë nga Haiti, a janë gjallë, a kanë ndonjë nevojë…

Rrugës pamë skena makabre të gërmadhave, të vdekurve të shtritë gjithandej, piskamën e të lënduarve dhe atyre që ishin ngujuar në rrënojat, vajtimin e të mbijetuarve që kërkonin me zë fëmijët dhe të afërmit e tyre, në përgjithësi një rrëmujë vuajtjesh të papërshkrueshme…

Disa nga miqtë që kërkonim i gjetëm në gjendje të shokut, secili me fatkeqësi, trauma dhe brenga për të afërmit. Disa prej miqve që kishin mbetur pa strehim i vendosëm në villen tonë. Atë natë nuk kishim ide se çka do të bënim, por besonim se ndihmat do të vinin shpejt.

Disa të huaj që i njihnim nga lagja dhe me të cilët komunikuam, flisnin për mënyrat e evakuimit. Kishin komunikuar me internet me centralet e organizatave të tyre dhe insistonin për koordinim të evakuimit sa më të shpejtë. Kur po bisedohej për këtë unë ndjeva një sëmbim në zemër. Sapo kisha ardhur në Haitin që e doja shumë, dhe nuk kisha aspak dëshirë që të ikja mu në këto çaste të vështira. “Unë nuk ik nga këtu”, - thashë. – “Kam ardhur për gjashtë muaj dhe dua të rri aq, ndoshta edhe më gjatë. Dua ta ndihmoj popullin fatkeq të Haitit.” Edhe Ralica më përqafi dhe tha se nuk i shkon mendja të evakuohet.
Te nesërmen vendosëm të dalim për ndihmë, aty ku është e nevojshme. Zbritëm në qendër dhe rrugës i asistonim të lënduarve dhe nevojtarëve, edhe pse nuk kishim kurrfarë mjetesh serioze, po ashtu, improvizonim. Gjithandej mbretëronte rrëmuja dhe nuk kishte asnjë shenjë të fillimit të menaxhimit të krizës dhe të organizimit të ndihmave urgjente për t’i shpëtuar njerëzit që ishin ngujuar në gërmadhat dhe thërrisnin për ndihmë. Kishte edhe shumë punë tjera, të mjekohen të lënduarit, të strehohen dhe sigurohen ushqimet dhe uji për mijëra e mijëra vetave që kishin mbetur në rrugë. Skenat më makabre ishin ato të mijëra të vdekurve të shtrirë në grumbull nëpër rrugë. Shumica e njerëzve thjesht bridhnin si të shastisur, por kishte edhe individë dhe grupe të vetorganizuar të cilët me mjete primitive bënin përpjekje t’i lëviznim blloqet e betonit… Në qiell ngandonjëherë shihnim helikopterët dhe kjo na ngjallte shpresën për ardhjen e shpejtë të ndihmave. Por, ky ishte zhgënjimi më i madh dhe i pafalshëm. Haiti, si gjithnjë më parë, ishte lënë vetëm….

Ditën tjetër grupi ynë, Ralica, Philipi, një koleg amerikanë fotografë dhe unë morëm vendimin që të paraqitemi vullnetar në Kryqin e Kuq, por atje nuk gjetëm asnjë organizim, prandaj shkuam te një spital, ku shpresonim se do të ishim më të dobishëm. Aty gjetëm dy mjek të rraskapitur nga puna, por që nuk kishin instrumente dhe ilaçe, kurse numri i të lënduarve ishte tepër i madh. Sidoqoftë, aty kaluam tërë ditën duke ndihmuar të lënduarit. Në mbrëmje u kthyem në shtëpi ku e kishim internetin dhe komunikonim me të afërmit. Për çudi, lidhjet ishin të mira.

Atë ditë strehuam një vajzë Felima-n. Ishte një 11 vjeçare e sëmurë, që dukej sikur i ka vetëm 6 apo 7 vjet. Ajo ishte rakitike dhe nuk ishte në gjendje as që të ushqehet vetë. Nëna e saj kujdesej edhe tre fëmijë të tjerë, kështu që na e la Felimën, përndryshe ajo do të vdiste në ato kushte të kaosit.

Vila ku banojmë është e Philipit, të dashurit të Ralicës. Ai është kanadez dhe punon në kompaninë e ujësjellësit. Në atë shtëpi kemi banuar edhe vitin e kaluar, por tash ishim mysafire të përkohshëm; kishim ndërmend të gjenim një banesë për vete. Gjatë dimrit New Yorku është i shtrenjtë dhe monoton, prandaj unë dhe Ralica preferonim të kalonim kohën dhe të punonim art, ose ndonjë gjë tjetër, në këtë ishull shumë piktoreskë. Për këtë vit madje kishim rentuar një hapësirë në qendër të Port-au-Prince, për të hapur aty një bar ose kefeteri për klientelën kryesisht artistike, artdashëse. Kjo hapësirë është në oborrin e galerisë më të vjetër dhe më të njohur në Port a Prense, quhet “Monnin Gallery”, dhe pronaren e saj e kemi mike shumë të mirë.

Por tani që ndodhi katastrofa, planet ndryshuan. Atë hapësirën e barit, tani e kemi bërë Qendër të Asistencës për Haiti. Kemi nisur të mbledhim kontribute nga miqtë në New York, Bullgaria dhe vendet tjera.

Falë internetit, që natën e parë e kisha vendosur në Facebook porosinë për miqtë se jam në Haiti, se jam gjallë dhe se presim ndihma. Mora porosi shqetësimi dhe inkurajimi nga shumë miq, ndër ta edhe disa nga Kosova, që ishin befasuar qe po lajmërohem nga Haiti, e dinin se jam në New York.
Kur isha më herët këtu, i pata njoftuar një grup kosovarësh, jo të gjithë, që punojnë në misionin e Kombeve të Bashkuara. Ditët e para dëgjova se është shembur selia e këtij misioni dhe se ka shumë të vrarë dhe të lënduar. Nuk kisha mundësi të verifikoja si është gjendja e këtyre kosovarëve dhe disa të tjerëve. Kam komunikuar vetëm me njërin, e ka emrin Besnik, i cili ishte në kampin e OKB, dhe e kishin të ndaluar që të dilnin në qytet jashtë obligimeve që kanë si mision.
E shoh çdo ditë dështimin e të gjithëve, të gjitha misioneve. Kuptoj se disa kanë mbetur pa kokë dhe mjete, por si është e mundur që nuk kanë ardhur më shpejtë formacionet ushtarake dhe të ndihmave, me teknikë të rëndë dhe medikamente? Nëse do të ishte çështje e pushtimi dhe intervenimi militar, Haiti do të pushtohej për një a dy ditë, e kanë kaluar dy javë dhe mezi që po shihen “shpëtimtarët”…

Kur isha në Kosovë vjet, pata sjell me veti një koleksion pikturash nga Haiti, të miqve tanë dhe të piktorëve që kemi njohur këtu. Doja të organizoja një ekspozitë në Prizren ose Prishtinë, - ekspozitë shitëse, që pastaj të hapja rrugën për komunikime me të shpeshta mes dy vendeve. Unë e kam idenë që duhet të jetojë në të gjitha ato vende që më pëlqejnë dhe ku kam të afërt dhe miq, në Prizrenin tim të dashur dhe fshatin tim tepër të bukur Jabllanica në Zhupë, në Bullgari ku kam kryer studimet për fotografi në Akademi dhe kam krijuar emër dhe miq të shumtë, në Ndew York ku po ashtu kam krijuar një bazë për karierë artistike… Kurse Haiti është, të them ashtu, ëndrra e ëndrrave, që ndoshta është dashur t’i kurorëzoj këto bredhjet e mia…

Më vjen shumë keq që ato piktura nga Haiti nuk i lashë në Prizren, por i mora me vete në New York… Tani që ndodhi katastrofa, do të gjeja më shumë mirëkuptim për ekspozitën, dhe ndoshta edhe do të mblidhej një fond sado modës, por i rëndësishëm për nevojtarët këtu.

Në bisedat me miqtë, disa më kanë pyetur nëse kam shfrytëzuar rastin që të bëjë fotografi ekskluzive nga Haiti. Më ka prekur disi kjo pyetje. Po, e mbajë me vete aparatin dhe fotografoj kur lëvizim me makinë, por ky nuk është aktivitet primar i imi këtu. Në këtë rast nuk ndihem fotografe por njeri. Kur shoh një të përgjakur dhe që vuan, instinkti im më bën t’i jap ndihmë, jo të bëj foto ekskluzive.

Pyetja tjetër që dëgjoj shpesh është pse e dua aq Haitin. Nuk mund ta them me pak fjalë. Duhet të jeni këtu e ta përjetoni këtë dinamikë, kolorit, atmosfere, klimë të butë, një ekzotikë ende e paprishur nga ajo që quhet “ofertë turistike”, dhe arti dhe njerëzit e artit këtu në Haiti. Tani e di që kjo ëndërr e ime ka ndryshuar, por unë nuk ka m ndryshuar, dhe dua që të vazhdoj këtu, deri sa do të jam e dobishme.

Shënim: Erna Velija, është fotografe nga Prizreni. Ka kryer studimet në Sofje për fotografi artistike dhe tash tre vjet jeton ndërmjet New Yorkut, Prizrenit, Sofjes dhe Port-ou-Princeit në Haiti.
http://www.galeriemonnin.com/about.html

Rrëfimin e realizoi, përmes internetit, Sh. Maliqi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›