Mustafa Abdul Jalil i jep OK zgjatjes së qëndrimit të NATO-s

Kryetari i qeverisë së përkohshme libiane i bëri zyrtarisht kërkesë NATO-s që të shtyjë misionin e saj në Libi dhe të qëndrojë në vend deri në fund të vitit.
Presidenti i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Mustafa Abdul Jalil, deklaroi të mërkurën se ndikimi i aleancës ushtrake që ndihmoi në rrëzimin e regjimit të Gaddafit do të ndihmonte Libinë që të vendoste qetësinë në vend.
Gjithashtu, ai kërkoi asistencë teknike, për fillimin e një procesi ambicioz çarmatimi, pasi në vend kanë mbetur stoqe të pafundme armësh nga katër dekadat e armatimit të kryer prej ish-kolonelit.
NATO lajmëroi fillimisht përfundimin e operacioneve në datën 31 tetor, por Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, deklaroi të martën se misioni mund të shtyhet. Për momentin, mungon një qëndrim zyrtar dhe i përbashkët i aleancës.
”Shpresojmë që NATO të vendosë zgjatjen e misionit të tij deri në fund të vitit, për të ndihmuar Libinë dhe vendet tona fqinje”, deklaroi Jalil gjatë një pritje në Katar, ku qeveria e tij u njoh zyrtarisht si i vetmi autoritet i ligjshëm në Libi.
Jalil shtoi se është e nevojshme asistenca e alencës për të siguruar që pjesë nga stoku i armëve të mos transportohen ilegalisht në vendet fqinje si Çadi apo Nigeri, ku ka një prezencë të madhe të militantëve islamikë.
Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Libisë, Moussa Koussa, hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga një dokumentar i BBC-së, rreth torturimit sistematik të të burgosurve politikë gjatë regjimit të Gaddafit. Krahu i djathtë i kolonelit, i arratisur në Britani në mars, i cilësoi dëshmitë si "keqdashëse dhe tëpavërteta".