Topi në Beograd
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi shkoi sot në Serbi, për të marrë pjesë në konferencën rajonale lidhur me trashëgiminë kulturore.
Në këtë konferencë me praninë e presidentëve të rajonit, është përjashtuar ftesa për presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Kjo konferencë ka të bëjë me ripajtimin dhe trashëgiminë, ndërkaq për herë të nëntë organizohet me shefat e shteteve të Evropës Juglindore dhe këtë vit organizohet nga presidenca serbe.
Konferenca do të mbahet nesër në qytetin e kohës romake, Viminacijum, afër qytetit të Pozharevcit.
Presidenti Topi viziton për herë të parë viziton Serbinë në cilësinë e presidentit të Shqipërisë.
Një vit më parë, ai refuzoi të ishte pjesë e samitit të presidentëve të Evropës Juglindore në Novi Sad, një samit që mbahet çdo vit, për shkak të situatës politike dhe mospjesëmarrjes së përfaqësuesve të Kosovës, në kohën kur serbët bojkotonin çdo takim ku ftoheshin përfaqësuesit e Prishtinës.