Mustafaj: Negociatat kërkojnë standarde dhe jo lutjet e Islamit
12/02/2005 Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Demokratike, Besnik Mustafaj, tha dje se negociatat e Asociim-Stabilizimit mund mbyllen, pasi të jenë plotësuar standardet e caktuara nga BE-ja dhe jo nga deklaratat e ministrit të Jashtëm. "Islami u duk se nuk ka kuptuar asgjë nga puna për të cilën paguhet. Kur them nuk ka kuptuar asgjë, e them me keqardhje. Islami duhet ta kuptojë se mbyllja e negociatave është rezultat i plotësimit të disa standardeve dhe nuk është dhuratë politike që mund t'i bëhet një force politike. Islami, që të bëjë sa më mirë punën e tij, duhet të heqë dorë nga demagogjia dhe gjithashtu të heqë dorë nga të bërit sekretarin e partisë", tha Mustafaj. Sipas tij, raportet që i kanë shkuar Komisionit Evropian nga Task-Force, që negocion për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit kanë treguar se Qeveria shqiptare nuk po plotëson kushtet për të bërë të mundur përfundimin me sukses të negociatave. "Në Komisionin Evropian është theksuar se nuk po plotësohen kushtet për të arritur Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit dhe pa u plotësuar këto kushte, sado të lutet apo përgjërohet Islami, apo Nano, nuk mund të bëhet një gjë e tillë", tha Mustafaj.