E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, zbulohen gjashtë klinika të palicensuara

20/12/2004  VLORË – Klinikat private mjekësore të palicensuara janë shtuar në qytetin e Vlorës. Faktin e zbulojnë burime të degës së Tatimeve në këtë rreth, të cilat paralajmërojnë mbylljen e tyre.

Klinikat private të palicensuara nga Ministria e Shëndetësisë do të mbyllen këto ditë nga dega e Tatimeve në Vlorë, kanë bërë të ditur burime nga kjo degë. Urdhri ka mbërritur nga Ministria e Shëndetësisë, saktësojnë të njëjtat burime.

Sipas kryetarit të degës së Tatimeve në Vlorë, Xhevit Kafazi, mësohet se “mjekëve të cilëve do t'u mbyllet aktiviteti, pasi punojnë pa licensën përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë janë Fejzi Alushi, Bejkush Shehu, Remzi Haxhiu, Kosta Koçi, Dilaver Haskaj dhe Metlli Derraj. Dega e Tatimeve do të nisë aksionin, qëllimi i të cilit është të bllokojë aktivitetin e të gjitha klinikave private, që janë të palicensuara, por që nuk paguajnë edhe tatimet në organin tatimor”, saktëson Xhevit Kafazi.

Sipas kreut të Tatimeve të Vlorës, mësohet se çdo njëra prej këtyre klinikave të palicensuara i detyrohet shtetit të paktën 1.2 milionë lekë (të vjetra).

“Por ajo që shqetëson më shumë është se mungesa e licensave sjellë edhe një shërbim të keq te qyetarët”, shton Kafazi. Për kreun e Tatimeve të Vlorës, Xhevit Kafazi, bllokimi i aktivitetit të këtyre klinikave është i përsëritur. Edhe herë të tjera këtyre klinikave u është bllokuar puna, për mungesë të licensave, por ato janë hapur sërish.

Duket se këtë herë, kreu i degës së Tatimeve të Vlorës, shprehet i vendosur për të çuar punën deri në fund, pas injorimeve të përsëritura nga ana e drejtuesve të këtyre klinikave.

“Aksioni, do të fillojë e do të përqëndrohet në 8 klinika, që e ushtrojnë aktivitetin privat në fushën e shëndetësisë pa licensën profesionale të lëshuar nga komisioni i posaçëm i dhënies së licensave pranë Ministrisë së Shëndetësisë”, përfundon Kafazi.

B. Bedini

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›