Myslimanët: Në gjykatë, nëse nuk mirëkuptohemi për shamitë
Komuniteti Mysliman do t’i drejtohet rrugës gjyqësore, nëse nuk do të ketë marrëveshje me Ministrinë e Arsimit për çështjen e shamive në shkolla. Ata kanë kërkuar një takim me ministrin Beja për të parashtruar kërkesat e tyre dhe në rast se shamia nuk do të lejohet, siç është pranuar prej kreut të këtij institucioni, atëherë gjykata do të jetë destinacioni i fundit i kësaj çështjeje.
“Ne duam ta zgjidhim këtë problem me mirëkuptim, por nëse nuk gjejmë një frymë bashkëpunimi, atëherë do t’i drejtohemi gjykatës”, – bëjnë të ditur burime nga Komuniteti Mysliman.
Përplasja
Komuniteti Mysliman Shqiptar ka kërkuar takim me ministrin e Arsimit, z. Fatos Beja, në lidhje me çështjen e shamive në shkolla, ku kërkojnë që lejimi i tyre tashmë të përcaktohet me ligj. Por, ende nuk ka rezultate pozitive për kërkesat e tyre, pasi burime nga ministria pohojnë se ky dikaster nuk ka ndërmend të tërhiqet në qëndrimin e deklaruar, në situatën aktuale.
Zyrtarisht, Ministria e Arsimit nuk pohon një takim mes ministrit Beja dhe përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman, ndërkohë që përfaqësues të këtij komuniteti kanë deklaruar se një takim i tillë zhvillohet për të arritur një mirëkuptim mes qëndrimit të ministrisë dhe përfaqësuesve të fesë.
Rruga gjyqësore
Në këtë mënyrë, rruga gjyqësore do të jetë e vetmja që do të mbetet, në rast se nuk arrihet një marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit dhe Komunitetit Mysliman. Burime pranë këtij komuniteti bëjnë të ditur se dëshirojnë të zgjidhin mosmarrëveshjen me mirëkuptim, porse nëse nuk arrihet një gjë e tillë, do t’u drejtohen gjykatave të vendit.
Kushtetuta përcakton qartazi se vendi ynë është laik dhe se shkollat janë laike. Ndërsa në nenin 24 thuhet se “secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t'i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve”, duke përcaktuar qartë se bindjet dhe praktikat mund të shfaqen edhe në arsim.
I vetmi akt i bazuar mbi këtë nen deri më sot është rekomandimi i Avokatit të Popullit, i cili përcakton se ndalimi i të drejtës themelore të arsimimit të një personi ose ndalimi i të drejtës themelore të besimit të tij, mund të kryhet vetëm duke kufizuar një prej të drejtave me ligj. Në këtë mënyrë, mbajtja e shamisë, sipas Avokatit të Popullit, nuk është thjesht çështje laicizmi, por një e drejtë themelore e njeriut, e mbrojtur në Kushtetutë dhe prevaluese ndaj çdo rregulloreje, vendimi apo ligji, përveç ligjit të posaçëm të kufizimit të të drejtave të njeriut.