E Diel, 1 Nëntor 2026

Me armë në shkollë, 14-vjeçari plagos shokun nga pakujdesia



Një 15-vjeçar është plagosur me pistoletë brenda në klasë nga bashkëmoshatari i tij. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në një shkollë 9-vjeçare në Lezhë. Sipas policisë, plagosja ndodhi nga pakujdesia, por adoleshentit iu rrezikua seriozisht jeta, pas plumbit të marrë në bark. Të dy nxënësit ishin gjatë orës së pushimit kur ndodhi plagosja. Mësuesit kanë dëgjuar një krismë dhe me shpejtësi janë drejtuar për në vendin ku u qëllua. Ata kanë parë 15-vjeçarin me inicialet M.M. të shtrirë në tokë. Menjëherë ndaj tij është dhënë ndihma e parë, duke e çuar atë në spital. Ndërkohë që është lajmëruar edhe policia, e cila ka shkuar në vendngjarje. Sipas burimeve, ka qenë ora rreth 10:30 të ditës së djeshme kur ndodhi ngjarja. Të dy adoleshentët janë nxënës në shkollën 9-vjeçare “Kosova”. Gjatë kohës së pushimit, të dy nxënësit ishin futur brenda një klase. Aty 14-vjeçari i kishte treguar shokut të tij se kishte marrë me vete një pistoletë të tipit “TT”. Ai e ka nxjerrë armën për t’ia treguar, madje duke luajtur me të. Por, duke mos qenë në siguresë, arma ka bërë shkrepje të pavullnetshme. Plumbi ka prekur 15-vjeçarin me inicialet M.M. në pjesën e barkut, duke i dëmtuar organet jetësore. Krisma e armës ka shkaktuar një gjendje paniku në ambientet e shkollës, ndërkohë që me shpejtësi në klasë kanë shkuar mësuesit. Ata janë tronditur kur kanë parë të mbuluar nga gjaku 15-vjeçarin. Menjëherë ata e kanë marrë adoleshentin dhe e kanë nisur për në spitalin e rrethit. Ndërkohë që është njoftuar edhe policia, e cila ka shkuar në vendngjarje. Mjekët e spitalit të Lezhës e kanë dërguar 15-vjeçarin në drejtim të Spitalit Ushtarak në Tiranë, për një mjekim më të specializuar. Ndërkohë që 14-vjeçari që qëlloi nga pakujdesia shokun e tij të klasës, ka qenë i tronditur. Ai nuk ka mundur që të shpjegojë atë çfarë kishte ndodhur. Policia e Lezhës ka marrë në pyetje adoleshentin në praninë e një psikologu. Nga hetimet paraprake rezultoi se ngjarja ka ndodhur nga pakujdesia. Adoleshenti kishte marrë armën dhe ndërsa ishte duke luajtur, ajo ka bërë shkrepje të pavullnetshme duke plagosur edhe shokun e tij. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave se si 14-vjeçari arriti që të futej me armë në klasë, duke mos u diktuar. Ndërkohë që po hetohet edhe vendi nga ku ai ka marrë armën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›