E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myslimanët kremtojnë Fiter Bajramin, festën e gëzimit dhe haresë



Mëngjesin e djeshëm qindra besimtarë myslimanë kanë rendur për tek sheshi “Skënderbej” ku ndodhet xhamia e Ethem Beut për të bërë faljen e mëngjesit.

Pas 30 ditë agjërimi e sakrifice, për shlyerjen e mëkateve, pastrimin e shpirtit dhe të trupit, besimtarët myslimanë iu falen dje Zotit në festën e Fiter Bajramit, t’u pranojë këtë ritual pavarësisht të mirave që ata presin t’u sjellë. Për këtë gjatë orëve të para të mëngjesit një pjesë e sheshit u bllokua nga festimet e Fiter Bajramit. Lëvizja e automjeteve në këtë zonë u kufizua nga orët e para të mëngjesit deri në orën 10:00 nga zona përballë xhamisë dhe para Teatrit të Operës dhe Baletit.

Falja

Për të respektuar ritet fetare, pasi kanë larë trupin dhe kanë marrë “abdes”, larja simbolike për kryerjen e faljes, ata kanë falur herët namazin e mëngjesit e më pas, rreth orës shtatë, kanë kryer faljen e Fiter Bajramit. Kjo festë shënon mbarimin e një prej adhurimeve kryesore, siç ishte agjërimi i muajit Ramazan, sipas kalendarit hënor islam. Pas faljes së këtij namazi, dëgjimit të hytbes nga imami, shtrëngimit të duarve dhe përqafimeve mes tyre, besimtarët myslimanë, edhe ata që nuk janë praktikues të fesë islame, kanë bërë vizita tek njëri-tjetri. Por përveç urimeve ndërmjet njëri-tjetrit, për më shumë paqe e mirësi, karakteristike e kësaj feste është ndihma për më të varfrit në mënyrë që edhe ata me të ardhura të pakta financiare të kenë mundësi të shtrojnë tryezën në drekën tradicionale që përmbyll muajin e madhërishëm të Ramazanit.

Festa

Sipas fesë islame, agjërimi përmban në vetvete mjaft cilësi si të mirat materiale, shërimi dhe forcimi i trupit, anën humanitare, por mbi të gjitha qëllimi i agjërimit është arritja e devotshmërisë të gjithë pjesëtarëve të Islamit, cilësi kjo e cila largon besimtarët prej të ligave. Agjërimi i rikujton besimtarit mysliman gjendjen e të uriturve të shumtë nëpër botë dhe nevojat që kanë të varfrit, ndërkohë që ngushton enët e të ushqyerit dhe të gjakut të njeriut. Ai që agjëron është një shembull për të tjerët për faktin se ashtu siç lë të ngrënët dhe të pirët, ashtu duhet të lërë dhe të falë edhe ata të cilët e fyejnë duke iu përgjigjur thjesht: "Unë jam agjerueshëm". Agjërimi është i lidhur ngushtë me besimin e vërtetë tek Zoti, edukon besimtarin të përjetojë botën tjetër dhe edukon gjithë shoqërinë. Ai që është duke agjëruar në muajin e Ramazanit, di se rreth tij e tërë shoqëria agjëron dhe jo vetëm kaq, por një botë e tërë është duke agjëruar.

Maqedoni

Fiter Bajrami është kremtuar edhe në Maqedoni. Besimtarët janë mbledhur në mëngjes herët në xhaminë e Isa Beut, në Shkup, ku krahas faljes së namazit, kanë uruar njëri-tjetrin që Bajrami i Madh të sjellë harmoni dhe gëzim mes tyre. Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, uroi besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fiter Bajramit. Rexhepi uroi të gjithë besimtarët e besimit islam, që kjo festë të sjellë me ndihmën e Zotit gëzim, devotshmëri dhe harmoni midis njerëzve. “Kjo festë duhet të zhvillohet në unitet mes të gjithë besimtarëve”, - është shprehur Rexhepi.

Kosovë

Pas tridhjetë ditë agjërimi, festën e Fiter Bajramit e kanë kremtuar edhe myslimanët e Kosovës. Në Prishtinë, manifestimi qendror kushtuar Bajramit të Madh u mbajt në Xhaminë e Çarshisë, ku pas faljes së namazit, kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, dërgoi mesazhe urimi për qytetarët dhe besimtarët myslimanë në Kosovë. Në 9 të mëngjesit, myftiu Tërnava organizoi pritjen tradicionale në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, shprehu edhe një herë përkushtimin e përbashkët të njerëzve për të çuar Kosovën përpara. Në Këshillin e Bashksisë Islame të Prishtinës edhe këtë herë janë dorëzuar mijëra euro nga kompani të ndryshme biznesi si dhe ndihma të tjera të cilat do t’u shpërndahen familjeve në nevojë.

Durrës

Fiter Bajrami, i cili u kremtua dje nga besimtarët myslimanë pas një muaji sakrifice të agjërimit, ka nisur të festohet që mbrëmjen e pardjeshme në qytetin e Durrësit, ku myftiu i këtij qyteti, Ilir Vokshi, ka pritur urimet e qindra qytetarëve deri në orët e vona.

Ndërkohë, lutja e mëngjesit të djeshëm, namazi, ka mbledhur në Xhaminë e Madhe dhe xhaminë Fatih dhjetëra besimtarë të cilët janë lutur për më shumë paqe, begati dhe shëndet. Në këtë ditë të shënuar për kalendarin fetar mysliman, besimtarët ndihmojnë familjet në nevojë si dhe bëjnë vizita në shtëpitë e njëri-tjetrit.

Dita e Fiter Bajramit mbyll edhe Ramazanin, muajin e agjërimit dhe të sakrificës së besimtarëve myslimanë.

Gjirokastër

Qindra besimtarë myslimanë të qytetit të Gjirokastrës, e kanë çelur ditën e djeshme të Fiter Bajramit me faljen e namazit në xhaminë e qytetit.

“Pas 30 ditë agjërimi dhe lutje për Allahun, tashmë besimtarët mund të fillojnë një jetë të re, pasi shpirti i tyre është pastruar nga mëkatet e përditshme", - është shprehur myftiu i qytetit të Gjirokastrës, Gëzim Dugaj.

Gjatë gjithë mëngjesit, besimtarët kanë shkëmbyer vizita në shtëpitë e të afërmeve, si dhe kanë ndarë me familjet më në nevojë dhurata.

Festa e Bajramit është kremtuar edhe në rrethin e Përmetit, Tepelenës, Sarandës, e Delvinës.

Elbasan

Mëngjesi i ditës së Bajramit ka mbledhur me qindra besimtarë myslimanë jo vetëm nga qyteti i Elbasanit, por edhe nga fshatrat përreth, në ambientet e pallatit të sportit “Tomorr Sinani” për të kryer faljen e kësaj dite të shenjtë për mbarë komunitetin mysliman.

“Qoftë një vit i mbarë, në paqe dhe mirësi për mbarë shqiptarët, kjo ditë e madhërueshme e Bajramit sjelltë begati në të gjithë shtëpitë e mbarë popullit”, - ka uruar myftiu i Elbasanit, Agim Duka, duke u bërë thirrje besimtarëve që të luten për ata popuj që janë në luftë. "Paqja dhe mirësia mbretëroftë tek ta”, - u shpreh Duga

Ndërkohë, myslimanët e Elbasanit i ka uruar në këtë ditë të shënuar edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, si dhe nënkryetari i Parlamentit, Ardian Turku.

“Paqe, mirësi dhe harmoni, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Le të shërbejë paqja dhe harmonia, për të larguar të keqen nga e mira”, - ka uruar ministri Basha.

Por, faljen e namazit në këtë ditë të fundit të muajit të Ramazanit e kanë kryer edhe rreth 250 besimtarë myslimanë të dënuar në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit. Ky është viti i katërt që të dënuarit falin namazin në ditën e Fiter Bajramit, ku shumica e besimtarëve kanë mbajtur agjërimin për 30 ditë rresht.

Vlorë

Besimtarët myslimanë kremtuan dje në qytetin e Vlorës festën e shenjtë të Bajramit të Madh. Dhjetëra besimtarë u mblodhën orët e para të mëngjesit në Xhaminë e Muradies, ku u zhvillua edhe ceremonia e faljes së namazit të Bajramit. Myftiu i Vlorës, Haxhi Hito Shahaj, që drejtoi këtë ceremoni, u shpreh se “kjo ditë e madhërishme është një moment kur gjithkush është i bindur se besimi tek Allahu ndriçon jetën e përditshme dhe e mira triumfon mbi të keqen”.

Në këtë ditë u mblodhën edhe ndihma për familjet më të varfra, që gjithkush të ndihet i barabartë përpara gëzimit dhe madhështisë së festës.

"Pas muajit madhërishëm të Ramazanit dhe pas 30 ditëve të agjërimit, besimtarët erdhën sot me më tepër besim, me më tepër përkushtim për jetën dhe për t'iu gjendur pranë atyre që kanë nevojë për ndihmën e Allahut", - u shpreh myftiu Shahaj. Me rastin e kësaj dite të shenjtë, myftininë e Vlorës e vizituan drejtues të prefekturës, të pushtetit vendor e të partive politike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›