E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ok ndryshimeve në Kodin Penal"

 

Armand Bajrami

Ministria e Drejtësisë ka parashikuar rishikimin e Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale gjatë vitit 2009, me qëllim përmirësimin e tyre lidhur me trajtimin e të miturve. Lajmi bëhet i ditur nga Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në një përgjigje zyrtare drejt Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani. Në përgjigje të një rekomandimi të AP-së, për disa përmirësime në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, që mbante datën 2 shkurt, ministri Alibeaj ka shprehur rishikimin e dy kodeve. Gjithashtu, në përgjigjen e tij Ministri i Drejtësisë sqaronte kërkesën e AP-së për dënimet alternative të nënave të reja në burg. "Sugjerimi që të parashikohen dënime alternative për nënat me fëmijë të mitur, për të siguruar jetën e përbashkët të të miturit me prindërit, është plotësuar me ndryshimet e bëra kohët e fundit Kodit Penal, me anë të Ligjit Nr. 10023, datë 27.11.2008, ku në Kreun VII "Alternativat e dënimit me burgim", janë parashikuar si dënime alternative në nenin 58 "Gjysmëliria" dhe në nenin 59/a "Qëndrimi në shtëpi", thuhej në përgjigjen e ministrit. Për pretendimin e AP, se mungon një  kuadër i veçantë penal dhe procedure penale për të miturit, Alibeaj është përgjigjur se "Mungesa e një ligji të veçantë penal për të miturit, nuk cenon respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të tij". Sipas ministrit, si rrjedhojë e disa ndryshimeve të mëparshme në drejtim të drejtësisë për të miturit, atyre u sigurohen garancitë e nevojshme procedurale gjatë procedimit penal. Ndër të tjera numri 1 i drejtësisë pranonte edhe faktin se mund të rishikohej dispozita që parashikon rrethanat rënduese për pasojën që mund t'i ketë shkaktuar vepra penale e kryer ndaj një të mituri. Bëhet fjalë që si rrethanë cilësuese të shikohet rasti ku vepra penale ka sjellë si pasojë paaftësi të përkohshme për të shkuar në shkollë.

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale
Në shkresën e dërguar nga Avokati i Popullit ditët e para të muajit shkurt drejt Ministrisë së Drejtësisë rekomandoheshin edhe disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale. Për të gjitha rekomandimet e kërkuara, Alibeaj ka gjykuar se dispozitat penale në lidhje me të miturit nuk kanë nevojë të ndryshohen. Kjo pasi, ato janë në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›