Salihi gjen golin, por Riedi skualifikohet
Hamdi Salihi është kthyer te goli dje me skuadrën e Riedit në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Austrisë kundër skuadrës modeste FC Trenkvalder Admira. Rezultati përfundimtar i takimit është fiksuar në shifrat 2-2, teksa janë dashur gjuajtjet nga pika e bardhë e penalltisë për të nxjerrë skuadrën që kalon në turin tjetër. Sulmuesi shqiptar, i cili kthehet pas një dëmtimi që e kishte mbajtur larg fushave për shumë javë, është futur në fushën e lojës në minutën e 115-të, ndërkohë që rezultati ishte 2-1 në favor të FC Trenkvalder Admira. Shqiptarit i janë dashur vetëm dy minuta lojë për të gjetur rrugën e golit e për të barazuar shifrat në 2-2. Pas këtij goli s’ka pasur asnjë ndryshim rezultati dhe skuadrat i janë drejtuar pikës së bardhë të penalltisë për të përcaktuar ekipin që kualifikohet. Lojtarët e Riedit nuk janë treguar të saktë, duke humbur me rezultatin 4-3. Gjithsesi, paraqitja e sulmuesit shqiptar në aq minuta sa është aktivizuar ka qenë mjaft e mirë. Salihi duket se po kthehet në nivele mjaft të mira dhe në fund të këtij sezoni mund të ketë një lëvizje për të, pasi shumë klube të njohura janë interesuar për të pasur shërbimet e tij.