E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji pushton rrugët në Vlorë, nxënësit mbeten pa mësim

Shiu i rënë gjatë natës dhe paradites së djeshme ka shkaktuar përmbytje në pothuajse gjithë qytetin e Vlorës. Shumë akse rrugore brenda qytetit janë bërë të pakalueshëm, si pasojë e sasisë së madhe të ujit që ka përmbytur rrugët. Në rrugën kryesore uji ka arritur në lartësi 30-40 cm nga sipërfaqja, ndërsa në disa zona arrin edhe 60 cm. Kalimtarët e kanë praktikisht të pamundur kalimin në shumë akse rrugore. Janë përmbytur hapësira përpara shkollave, disa kopshte dhe uji është futur në ambientet e kateve të para, banesa e zona të tëra periferike, ku po paralizon jetën e qytetin. Në bashki është ngritur një shtab emergjence për të përballuar situatën. Punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike janë vënë në punë për të zhbllokuar pusetat në akse të ndryshme të qytetit, ndërsa përmbytja ka vijuar të marrë përmasa deri në mbrëmje, pasi reshjet kanë qenë të dendura. Në shumë shkolla të qytetit nxënësit janë detyruar të mos e zhvillojnë mësimin, pasi oborret e shkollave janë mbushur me ujë dhe rrugët përpara tyre janë bërë të pakalueshme. Shumë automjete janë fikur dhe janë dëmtuar si pasojë e ujit, ndërsa nuk kanë munguar aksidentet në rrugët e qytetit të shkaktuara nga pakujdesitë dhe vështirësia në qarkullim. Situata në zonat periferike të qytetit ka qenë e nderë. Pamundësia për të qarkulluar me automjete, por edhe në këmbë ka bërë që gjatë paradites qyteti të jetë krejtësisht i paralizuar. Shtabi i emergjencës, i ngritur në Bashkinë e Vlorës, rreth mesditës kur situata po rëndohej, ka përcaktuar zonat më problematike dhe e ka përqendruar aty punën. Gjatë mbledhjes emergjente, u vendos që të merren të gjitha masat që mjetet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, por edhe mjete të tjera të marra me qira, të jenë prezente non stop në qytet, deri sa të zhbllokohen të gjitha pusetat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›