E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shiu shkakton defekte në rrjetin elektrik, dy komuna pa drita

Moti me reshje ka bërë që banorët në dy komuna të Rrethit Bulqizë të mbeten pa drita. Reshjet e dendura të shiut, të nisura në orët e para të mbrëmjes së të martës, kanë vazhduar me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së djeshme, duke shkaktuar defekte në linjat e transmetimit të energjisë elektrike. Burime nga filiali elektrik bëjnë me dije se defekti ka ndodhur rreth orës 02:00 të ditës së djeshme, ku 17 fshatra në dy komuna, Zerqan dhe Fushë-Bulqizë, kanë mbetur pa energji. Edhe pse jo zyrtarisht, specialistë të agjencisë elektrike në Bulqizë sqarojnë se linjat e transmetimit janë tejet të amortizuara, pasi prej më shumë se 30 vjetësh nga vendosja e tyre nuk është vënë dorë në to. Mësohet se specialistë të kësaj agjencie janë angazhuar dje për riparimin e këtyre defekteve, por shiu që ka vazhduar gjatë gjithë ditës e ka vështirësuar dukshëm punën e tyre. Krahas ndërprerjes së energjisë, reshjet e shiut kanë ndikuar në rritjen e prurjeve të ujit në lumin e Drinit të Zi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›