NJË POLITIKË QË NUK I GJENDET DOT “DERMANI”
Të nderuar lexonjës,
Për ta personalizuar fare pak shkrimin tim të radhës, do të më duhet t’i referohem një takimi paraprak me një shok të klasës në një restorant të kasabasë së Tetovës, me të cilin dikur ishim kundër nënshkrimit të “Ramkovnit” të Ohrit. Ndonëse ishte ditë e premte, ai “muhabetin” e filloi me porosinë drejtuar kamerier Selamit, që t’ia sjellë një dopio të Skraparit. Do të më thotë: “Shkrimin paraprak e kisha të qëlluar”! Të them të drejtën, hiç nuk m’u bë qejfi ngase këtë e tha me gjysmëgojë dhe ashtu zvargur. Dhe kjo më la përshtypjen se sipas tij, ai shkrim ashtu siç ishte shkruar, do të duhej të krahasohej me një dele pa qumësht. Fare nuk i shkon mendja që për t’i hetuar opinionet e mia më duhen dy ditë, mandej ku është kontributi i mikut tim… që ma lekturon shkrimin hiç pa shpërblim, ku ngeli kontributi i një miku tjetër… që m’i poston ata, ku ngel “çallami” im kundrejt së vërtetës se këto shkrime m’i boton një gazetë e madhe këtu dhe një gazetë tironse që i huazon nga kjo e para. Pse nuk më “lavdëroi” aq sa doja unë, për inat të tij, unë “për dynja e për ahiret, do t’ia bëj haram edhe ashtu haram” tri dopiot që ia pagova.
Nejse, për të mos u zgjatur, do t’i kthehem motivit të kësaj qasjeje gazetareske. Ditë më parë, më lanë përshtypje ca opinione të kryeparit të qeverisë së Shkupit, i cili duke e firmosur marrëveshjen e koalicionit “Për Maqedoni Më të Mirë”, pos tjerash tha: “Në Maqedoni nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë ndarje në maqedonas antikë dhe maqedonas sllavë..., nuk ka pasur dhe nuk do të ketë ndarje në ata që janë për NATO dhe BE dhe ata që janë kundër. Ajo është dilemë e rreme dhe rrezikshme e prodhuar nga opozita në mungesë të projekteve dhe të kuadrove... Nuk ka ndarje dhe dallime për prejardhjen e maqedonasve..., nuk ka dhe nuk “d u h e t” të ketë ndarje sipas përkatësisë etnike, fetare ose politike. Ajo kohë ka kaluar”.
Është një paragraf i thënë bukur, po nuk mund t’i besosh për disa arsye:
E para: ǒështë tani ky çast i shfaqjes së pendimit politik të Kryeministrit dhe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve maqedonase kundrejt (mos)ndarjes së Maqedonisë! Një ndarje që u propozua vite më parë nga ish-kryeministri Lubço Georgievski dhe nga disa akademikë maqedonas, të cilët më vonë këtë ide deemancipuese, dehumanizuese dhe segregacioniste ua faturuan shqiptarëve dhe luftës së tyre të vitit 2001!?
E dyta: Ky “pishmanllëk” i VMRO-së më përngjan si: ajo kur “bagëtitë që ripërtypin ushqimin kur janë me nge nuk bëjnë zarare”!... Ashiqare: kur kjo politikë nuk ka me çka të ushqehet dhe ç’të ripërtypë, atëherë për të gjetur “derman”, fillon të ndërtojë përmendore me prejardhje antike, i emërton sheshet me emra antikë... Madje, është edhe “kundër” ndarjes së maqedonasve antikë dhe sllavë, edhe për emërtimin e rrugëve “kombëtare” me emrin e Lekës apo Aleksandrit të Madh. Dhe nëse në këtë kontekst (nuk) ka ndonjë ngatërrim të (pa)qëllimshëm të nocioneve antike me ato gjeografike, atëherë pse Kryeministri në vijimësi bën përpjekje të tjetërsojë dhe në instancë të fundit të përvetësojë historinë e të tjerëve? A nuk është ky një ballafaqim me kundërkërkesën e tij, dhe të tjerëve përreth?
E treta: Le ta përsërisë edhe njëherë Kryeministri fjalinë: “Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë ndarje në ata që janë për NATO dhe BE dhe ata që janë kundër”! Nëse unë i kam gjykimet të rreme dhe të gjymtuara, atëherë le të më thotë njeri se kush ishte dje dhe kush është sot e gjithë ditën kundër NATO-s. S’ka dyshim se shqiptarët nuk ishin kundër. Kjo ma kujton atë shprehjen proverbiale: “Një ujë që s’është për avdes”!
E katërta: Le ta konceptojë edhe njëherë Kryepari i qeverisë mendimin se “…nuk ka dhe nuk d u h e t të ketë ndarje sipas përkatësisë etnike, fetare e politike” dhe nëse ky konceptim është “tamam”, atëherë mua do të më duhet ta jap këtë “xhevap”, se ato ndarje duken gjithandej në hapësirat ku jetojnë shqiptarë, si në aspektin politik ashtu edhe në aspekt social, arsimor, kulturor, territorial etj. Nëse s’është kështu, atëherë çka i duhen z. Nikollë përpjekjet për të ndryshuar ligjin (e vitit 2004) për ndarje (të re) territoriale. A mos vallë kjo është një “rindarje e vonuar” e Strugës. Pse Kryeministri “duhet të harrojë” se ligji për ndarje territoriale është pjellë e Marrëveshjes së Ohrit, një ligj që shkoi në votë deliberative. Pse z. Kryeministër këtë (ri)ndarje nuk do ta bëjë në komunat ku dominon popullata joshqipfolëse! S’ka dyshim se qëllimi i kësaj ndarjeje konsiston në shënimin e kufijve të një hapësire të re, ku përdorimi i gjuhës të llafosur dhe të shkruar shqipe do të cungohet edhe më shumë. Idesë së tij për (mos)ndarje të reja territoriale do t’i bashkëngjitet edhe ministri i tij për Arsim dhe Shkencë, i cili do të propozojë ndarjen e nxënësve të gjimnazit “Ibrahim Temo” - “Niko Nestor”, që mësimi i tyre të organizohet në turne etnike!? Kështu siç hetohet kjo e vërtetë, të lë përshtypjen se VMRO-së i mungon një hierarki e mirëfilltë dhe e qëndrueshme politike, një hierarki, ku nuk dihet se kush është i pari, kush i dyti, kush i treti e kush i fundi. Nëse është kështu, atëherë cili është pozicioni politik i zotit Gruevski dhe ai i ministrit për Arsim? Fatkeqësisht, këto gënjeshtra sot gjejnë zbatim praktik në përditshmërinë edhe ashtu stereotipa të këtij nënqielli politik. Ndoshta kjo politikë joparimore nuk arrin dot të “shohë veten se definitivisht është zhytur brenda amullisë” së saj. Hokatarët korçarë kësaj do t’i thonë: “Kur të vinë mendtë, nuk i duan as qentë”.
E pesta: Një pjesë e mendimit të z. Gruevski kundrejt: “…ajo është dilemë e rreme dhe e rrezikshme e prodhuar nga opozita në mungesë të projekteve dhe të kuadrove”!?, nuk mban. Kjo “përsiatje” e tij nuk të mbush mendje dhe nuk mund të bindë njerëz se ai nuk e ka me partitë politike shqiptare (duhet “toptan” të hiqen mënjanë partitë politike maqedonase)… aq më tepër kur e dimë se partitë shqiptare gjithmonë kanë qenë opozitare për mandatarin e qeverisë. Për këtë dhe shkaqe të tjera, të thuash se BDI-së, PDSH-së apo ndonjë partie tjetër politike shqiptare i mungojnë projektet dhe kuadrot, është e barabartë me një gënjeshtër të ndyrë dhe të rëndë. Kjo gënjeshtër me okë e z. Nikollë është si puna e “lepurit që fshihet gjetkë”! apo si ajo: “s’bëhet stan me dhen me qira”. Dhe kjo duhet të jetë një marrëzi politike e radhës.
E fundit: Është e drejtë e secilit të mendojë të kaluarën, po edhe të tashmen e tij, por ama mos t’ua marrë të drejtën të tjerëve ta bëjnë këtë. Dhe këtë të drejtë të tij asnjeri nuk mund t’ia kundërshtojë derisa nuk ofron prova kundrejt një mendimi të kundërt. Shqiptarët që jetojnë në këto troje, njihen me tolerancën e tyre të çuditshme dhe me qëndrimin miqësor. Për këtë dhe arsye të tjera, askush nuk ka të drejtë të hedhë shqelma mbi kërkesat e parealizuara të shqiptarëve. Veç kësaj, nuk është fare korrekte... që ne të fajësohemi që sot për parregullsitë që do të ndodhin në zgjedhjet vendore dhe presidenciale...!