NATO, Topalli: E meritojmë anëtarësimin
Në konferencën me temë "NATO, 60 vjet në të mirë të sigurisë ndërkombëtare", e cila u zhvillua dje në Tiranë, zëvendësambasadori amerikan, Christina, u shpreh se "Shqipëria dhe Kroacia do të bëhen anëtare të NATO-s më 3 prill të këtij viti. Kjo është bërë e mundur për shkak të përmbushjes së standardeve për t‘u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut Verior". Më tej, ai theksoi se Shqipëria, me anëtarësimin në NATO duhet të shërbejë si shembull për vendet e tjera që duan të anëtarësohen. Ndërsa Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, është shprehur se "NATO, në këtë 60-vjetor, vjen me mësimin më të vyer për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen pjesë e saj. Ajo u hap dyert vetëm atyre që duan të ndajnë me të krahas të tjerash edhe vlerën jo vetëm konsumues të sigurisë së përbashkët, por edhe kontribuues në këtë siguri". Më tej, ajo theksoi se "Shqipëria ishte vendi i parë postkomunist që kërkoi anëtarësim në këtë aleancë, pavarësisht vështirësive të natyrshme të tranzicionit tonë dhe trazirave të pamerituara, për asnjë çast e sekondë nuk e zbehem, nuk e braktisëm por e mbajtëm të shtrënguar fort aspiratën tonë për t‘u rikthyer në botën nga e cila forcërisht, djallëzisht, pashpirtmërisht na kishin ndarë". Ndërsa ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vuri në dukje se "në prill 2009, Shqipëria do të jetë vend anëtar i NATO-s dhe vend i asociuar i Bashkimit Evropian". Sipas tij, më 1 prill, hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE-në dhe po të konsiderojmë këtu edhe pavarësinë e Kosovës, mund të themi pa frikë se kjo është koniunktura më e favorshme historike që ka përjetuar ndonjëherë kombi ynë.