E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama dhe Topalli përplasen për kartat

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, janë përplasur dje për kartat e identitetit. Rama dhe Topalli ishin pjesëmarrës në një takim të përbashkët që i kushtohej anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në fjalën e tij në këtë tryezë, kryetari i PS-së, Rama, bëri publik edhe një herë shqetësimin e opozitës për pajisjen e shtetasve me letërnjoftime, duke e konsideruar procesin dhe standardin e zgjedhjeve në rrezik. Rama tha se i "i gjendur në këtë situatë, procesi rrezikon të dështojë. Procesi po shkon drejt qorrsokakut, ku vendi i sapo anëtarësuar në NATO mund të kthehet në një problem për të gjithë". Por Kryetarja e Kuvendit e kundërshtoi këtë fakt, duke thënë se procesi po ecën normalisht dhe liderët politikë nuk duhet t‘i shohin zgjedhjet me shqetësim. Topalli theksoi se "pas anëtarësimit në NATO, ne do kemi zgjedhjet. Unë jam shumë e lumtur që procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit po ecën shumë normalisht. Unë jam shumë e kënaqur që, pas 18 vitesh, si asnjë herë tjetër, në zgjedhjet e ardhshme ne do shkojmë me infrastrukturën më moderne". Duke iu drejtuar kryetarëve të partive, Topalli deklaroi se ditën e zgjedhjeve ta shohim si një ditë feste. "Unë nuk mendoj që ata që drejtojnë partitë duhet të kenë frikë nga zgjedhjet, nuk mendoj që ata duhet të kenë fobi nga zgjedhjet, siç ndodh me disa. Ajo ditë duhet të jetë ditë feste dhe jam shumë e sigurt që dita e zgjedhjeve do të jetë ditë feste", u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Prej disa ditësh, PS-ja ka ngritur shqetësimin e saj se procesi i pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti po shkon drejt dështimit dhe kjo është për t‘u shqetësuar, pasi vihen në rrezik zgjedhjet e 28 qershorit. Opozita i ka kërkuar qeverisë që për ata shtetas të cilët nuk kanë pasaporta, t‘ua japë kartën e identitetit falas. Ky pretendim nuk është pranuar nga mazhoranca dhe Kryeministri Berisha, i cili ka theksuar vazhdimisht se çmimi i kartës nuk është shumë i lartë dhe çdo familje mund ta përballojë. Për shtresat në nevojë, ka theksuar Kryeministri, është bërë subvencionim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›