NATO "anashkalon" Maqedoninë

Maqedonia është anashkaluar sërish nga axhenda e takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, takim që u mbajt të enjten dhe të premten në Krakovë të Polonisë. Ministrat e vendeve anëtare të Aleancës nuk kanë diskutuar aspak për Maqedoninë dhe integrimin e saj në strukturat e NATO-s, në takimin dyditor të Polonisë. Në axhendën e takimit nuk është përmendur çështja e Maqedonisë, por vetëm procesi i mbylljes së Protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat në samitin e radhës do të jenë anëtare të plotë të Aleancës. Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer ka theksuar se Maqedonia nuk ka qenë në rend dite në takimin joformal në Krakovë, por në këtë kontekst ai ka theksuar se Aleanca Veriatlantike dhe Maqedonia kanë bashkëpunim mes tyre, që sipas tij, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Shefer edhe njëherë ka deklaruar se shpreson që çështja e emrit kushtetues të Maqedonisë të zgjidhet sa më shpejt dhe Maqedonia të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Lidhur me problemin kufitar mes Kroacisë dhe Sllovenisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Shefer ka ftuar Slloveninë që të mos pengojë anëtarësimin e Kroacisë në Aleancën e NATO-s.
Në fillim të muajit prill të këtij viti, do të zhvillohet në Strasburg, samiti i radhës i NATO-s. Ky Samit pritet të ketë një rëndësi të veçantë për faktin se kjo organizatë do të festojë edhe 60-vjetorin e krijimit të saj, por ndërkohë Shqipëria do të jetë një anëtare e plotë e kësaj organizate prestigjioze ndërkombëtare në sferën e sigurisë.