Senatori amerikan John Kerry takon presidentin sirian
Senatori amerikan Xhon Kerri, i cili ndodhet në një tur në Lindjen e Mesme, është takuar në Damask të Sirisë me Presidentin sirian Bashar al Asad, në një moment kur Shtetet e Bashkuara duket se po rishikojnë politikën e tyre ndaj vendeve të vlerësuara si armike gjatë administratës së mëparshme amerikane. Kerri është anëtari i tretë i Kongresit amerikan që shkon në Siri brenda të paktën një jave. Kryetari i Komisionit të Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Hauard Berman është takuar po të shtunën me Asad, pas takimit që zhvilloi të mërkurën një delegacion i senatorëve me në krye Benjamin Kardin, anëtarin e komisionit të marrëdhënieve të jashtme të Senatit. Përpara se të vinte për vizitë në Siri, kryetari i komisionit të Çështjeve të Jashtme të Senatit, Xhon Kerri ka vizituar Libanin, Jordaninë, Izraelin, Çisjordaninë dhe Gazën. Gjatë qëndrimit të mërkurën në Bejrut, Kerri ka deklaruar se takimi i tij me Asadin do të ishte një test për të parë nëse kishte ardhur koha për një ndryshim përsa iu përket marrëdhënieve mes Damaskut dhe Uashingtonit.
Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara do t'i kërkonin Sirisë t'i ndihmonte për çarmatimin e Hezbollahut, të mbështetur nga Siria. Kerri ka nënvizuar qëndrimin e ri të administratës së Barak Obamës ndaj Lindjes së Mesme, që ndryshon nga ai i Xhorxh Ë. Bush, administrata e të cilit i përkeqësoi marrëdhëniet me Damaskun për shkak të pushtimit të Irakut në vitin 2003. Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Damaskut janë acaruar edhe më tepër pas vrasjes në vitin 2005 të ish-kryeministrit libanez, Rafik Hariri, për të cilin Uashingtoni fajëson regjimin sirian.