E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama:Rritje ekonomike për familjet amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka njoftuar se familjet amerikane do të fitojnë më shumë para' nga paketat e ndihmës, duke filluar që prej muajit prill. Sipas presidentit amerikan Obama, një gjë e tillë do të vijë si pasojë e uljes së taksave. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, si dhe në You Tube, presidenti Obama deklaroi se një familje tipike do të kishte një rritje me të paktën 65 dollarë në muaj. Obama e cilësoi këtë masë, si uljen më të shpejtë të taksave në historinë e SHBA-së për klasën punëtore. Shefi i Shtëpisë së Bardhë dha gjithashtu disa hollësi se si planifikonte të ulte defiçitin buxhetor që kishte trashëguar nga administrata e ish-presidentit Xhorxh W. Bush. Ai tha se do të organizonte një samit fiskal ditën e hënë dhe do të mbante një deklaratë për këtë vetëm një ditë më pas. Ndërkohë që ditën e entje, Barak Obama do të prezantojë atë që ai vetë e ka cilësuar një buxhet të ndershëm dhe të kthjellët. "Plani amerikan për rimëkëmbjen ekonomike që u kthye në ligj, ishte një hap kritik" tha president i ri amerikan Obama. Ai paralajmëroi se rruga përpara do të ishte e gjatë dhe plotë vështirësi. Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, Obama njoftoi një plan ndihme për kreditë për shtëpi, plan i cili ka si qëllim të shmangë humbjen e shtëpive për 7-9 milionë amerikanë. Paketa e shpëtimit me vlerë miliarda dollarë ka në fokus huamarrësit që janë pranë humbjes së shtëpive të tyre. Një pjesë e madhe e marrëveshjes përfshin mbështetje të vazhdueshme për firmat e mëdha kreditore që drejtohen nga shteti, Feni Mei dhe Fredi Mek. Obama është shprehur se veprimet e forta dhe të shpejta do të ndalnin spiralen e tatëpjetës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›