NATO bombardon Tripolin
Gjatë natës në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, janë dëgjuar shpërthime, qartazi nga sulmet ajrore të NATO-s.
Dëshmitarët thanë se duket se sulmet për cak i kishin ndërtesat qeveritare, përfshirë edhe kompleksin e liderit të Libisë, Muammar Gaddafit.
Raportohet se aeroplanët e NATO-s i kishin sulmuar së paku katër vende në dhe rreth Tripolit dhe se këto ishin bombardime tejet të rënda.
Këto sulme u bënë pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se po kalon koha për Gaddafin.
Nga sulmet ajrore të NATO-s, në kompleksin e Gaddafit në Tripoli, më 1 maj, u vranë djali dhe tre nipër të tij.
Koordinatorja e ndihmave në Kombet e Bashkuara, Valerie Amos, ka bërë thirrje për pauzë të sulmeve në Libi, për të ndihmuar në zbutjen e krizës humanitare.
Ajo i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se qyteti Misrata, i vetmi qytet nën kontrollin e kryengritësve, në pjesën perëndimore të Libisë, është në gjendje të vështirë me mungesë të ushqimit dhe ujit.
Ajo, po ashtu ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit të siguroj që të gjitha palët ta respektojnë të drejtën ndërkombëtare.