E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO e perfshire ne kampionatin europian te futbollit

Jo Ukraina, por Polonia e ka kërkuar një gjë të tillë dhe përgjigja ka qenë pozitive. NATO ka vendosur të vendosë në veprim avionë me sistem AWACS për të ruajtur qiejt polakë gjatë periudhës së zhvillimit të kampionatit europian të futbollit.
Polonia është anëtare e Aleancës së Atlantikut Verior dhe për këtë arsye ka qenë e mundur të ndërmerrej ky veprim, me anë të forcave ajrore që janë të vendosura në bazën ushtarake të Gelsenkirshenit në Gjermani.
Përderisa Ukraina nuk është bërë anëtare e NATO-s ajo nuk ka kërkuar mbrojtje, aq më shumë që në pushtet janë forca politike proruse.
Siguria ka qenë një nga temat më shqetësuese për kampionatin europian që zhvillohet në dy vendet e Europës Lindore, madje problemet kanë nisur bashkë me turneun sepse janë raportuar përleshje në Lviv të Ukrainës dhe Vrocllav të Polonisë që ditën e parë të Euro 2012.
Një tifoz spanjoll u lajmërua se u gjet i vrarë në qytetin Makejevka të Ukrainës dhe ndonëse vrasja mund të ketë ndodhur 1 muaj më parë, sërish ka lidhje me kampionatin, sepse spanjolli fatkeq kishte ardhur në Ukrainë për të qëndruar edhe gjatë Europianit. 
Avionët AWACS mund të ndihmojnë sepse janë të pajisur me sisteme kontrolli dhe alarmi, ndërsa bëhet fjalë për programin më të madh bashkëpunues që ka pasur ndonjëherë Aleanca dhe që tashmë ka 30 vjet që përdoret.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›