E Shtunë, 31 Tetor 2026

EURO 2012 vitrine edhe per prostitucionin

Kampionati Europian që sapo ka nisur tërheq tifozë nga i gjithë kontinenti. Mijëra persona kanë udhëtuar drejt Polonisë dhe Ukrainës për të mbështetur skuadrat e zemrës, por gjatë turneut ata nuk do t’i  presin vetëm stadiumet, hotelet dhe restorantet, me çmimet e këtyre të fundit që janë rritur në mënyrë të ndjeshme.
Fluksi i të huajve, pjesa më e madhe e të cilëve janë meshkuj dhe të rinj, që kanë edhe një dobësi për alkoolin dhe argëtimin, përfaqëson edhe një mundësi të mirë për prostitutat që të kenë më tepër punë. Njëra prej tyre nënvijëzon se “dëshiron që prostitucioni të legalizohet” dhe që policia t’i trajtojë në mënyrë normale.
Statistikat nuk e tregojnë qartë numrin e prostitutave në Ukrainë, ashtu sikurse edhe në Poloni, ku aktiviteti i tyre lejohet, ndërsa shfrytëzimi dënohet me ligj. Në Ukrainë prostitucioni ndëshkohet, por pavarësisht masave shtrënguese kjo nuk e ka ndaluar. Jo më kot ky vend njihet për trafikun e qenieve njerëzore në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Vetëm në Kiev, këtë profesion e ushtrojnë të paktën 11 mijë femra. Por, e dhëna më shqetësuese është se një në katër prostituta është pozitive. Ukraina është vendi europian ku AIDS-i është më i përhapur. 1,46 për qind e popullsisë është e infektuar, ndërsa mes prostitutave përqindja është më e lartë. Për këtë arsye, shoqatat e ndryshme kanë vënë në dijeni për rreziqet klientët e rinj të mundshëm. Fushatat janë zhvilluar si në Ukrainë, ashtu edhe në vendet nga kanë udhëtuar tifozët.
Gjithsesi, qeveria në Kiev e ka minimizuar alarmin, duke u mbrojtur me tezën se edhe gjatë Euro 2008 në Austri dhe Zvicër ekzistonte alarmi për turizmin seksual, por në fund tifozët nuk kishin kohë për prostitutat, pasi ishin më të përqendruar te ndeshjet dhe te birrat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›