NATO,Berisha:Sot ditë krenarie e veçantë

Kjo është dita më e madhe në historinë e Shqipërisë. Një ditë krenarie e veëantë. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha në fjalën e mbajtur në samitin e NATO-s ku Shqipëria u bë pjesë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Së pari, dëshiroj të falënderoj Presidentin Sarkozy dhe Kancelaren Merkel, bashkëkryesues të kësaj konference, për mikpritjen e shkëlqyer, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm Scheffer për organizimin e përsosur të saj."Sot në këtë 60 vjetor të saj, NATO pranon si anëtar vendin tim, Shqipërinë, e cila vetëm 20 vite më parë përjetonte tiraninë më të egër që shqiptarët, por ndoshta edhe mbarë Europa, kanë njohur në historinë e tyre", deklaroi Berisha. Kryeministri u shpreh se "Për mua kjo është një ditë krenarie e veçantë por, para së gjithash, dita e mirënjohjes më të thellë dhe të pakufishme ndaj jush, kombeve tuaja, Forcave tuaja te Armatosura e taksapaguesve të vendeve tuaja, qe me ndihmen e tyre te gjithanshme, politike, ekonomike, financiare e ushtarake mbeshteten reformat e thella e te suksesshme ne Shqiperi, qe bene te mundur kete dite. Asnjë komb nuk ka njohur në historinë e tij një solidaritet kaq të madh, sa ç'kemi njohur ne shqiptarët nga kombet tuaja të lira". Një falenderim të veëantë Berisha ka bërë për qeverinë e SHBA-së për krijimin e Kartës së Adriatikut 3, që u shndërrua në një proces të fuqishëm të bashkëpunimit të Shqipërisë me NATO-n dhe dy vendet mike Kroacinë dhe Maqedoninë, si dhe anëtarësimin tonë në NATO. "Unë gjithashtu jam shumë mirënjohës ndaj jush, që një vit më parë, ftuat për t'u anëtarësuar në NATO vendin tim dhe në një kohë rekord ratifikuat në parlamentet dhe senatet tuaja protokollin e anëtarësimit në NATO, duke ju dëshmuar shqiptarëve besimin më të madh që ata kanë njohur në tërë ekzistencen e tyre. Dëshiroj t'ju garantoj ju se këtë mal besimi që ju vendosët mbi ne do ta shndërrojmë në përgjegjësi të mëdha për konsolidimin e vlerave dhe parimeve që NATO mbron dhe për t'ju përgjigjur të gjitha kërkesave te Aleancës, në të gjitha misionet e saj të ruajtjes së paqes dhe luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar", theksoi ai. Në fund të fjalës së tij Berisha përshëndeti dhe falenderoi me mirënjohje instititucionet e vendit tim, administratën, forcat tona të armatosura në veçanti, për kontributin e tyre në reformat e suksesshme dhe te rëndësishme, që mundësuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. "Dua të përshëndes të gjithë shqiptarët që sot e tutje do të kenë lirinë e tyre të garantuar, do mund të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë, në liri, dhe nuk do të ecin kurrë me të vetëm", përfundoi Berisha.