Shefer i drejtohet ne Samit Shqiperise dhe Kroacise: Mire se erdhet ne NATO!

Strasburg, 4 prill, 11:45, NOA – Samiti i Strasburgut ka nisur me fjalimin përshëndetës të Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Shefer, i cili mes të tjerave u ka uruar mirëseardhjen në këtë organizëm edhe dy vendeve të reja anëtare, Shqipërisë dhe Kroacisë.
“Shqipëria dhe Kroacia, kanë zënë vendin e tyre të merituar në këtë organizatë. Mirësevini në NATO”, është shprehur ai posaçërisht për vendin tonë dhe Kroacinë.
Më pas, ai ka pohuar se qëllimi i NATO-s është arritja e lirisë dhe sigurisë së vendeve anëtare të saj.
“Ushtarët e marinarët tanë angazhohen për të na e siguruar atë. Siguria duhet të jetë pjesë e pandashme e rrugës sonë”, tha ai.
Më pas, Shefer përmendi edhe faktin se më shumë se 70 mijë burra dhe gra janë të angazhuar në këto aksione të organizatës së Aleancës së Atlantikut të Veriut.
“Ne ishim në urën mbi lumin Ren dhe kujtuam sakrificën supreme të deritanishme të forcave të Aleancës. Ju shprehim mirënjohjen tonë më të thellë atyre që kanë dhënë jetën për Aleancën dhe familjet e tyre. Por nderojmë edhe të plagosurit, janë që të gjithë në mendimet dhe lutjet tona”, theksoi ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Me falënderimin për të gjithë ushtarët e NATO-s për këtë shërbim që ata kryejnë për demokracinë dhe lirinë ai ka përfunduar fjalën e tij duke u shprehur se ai është në funksion të lirisë në mjedisin ku jetojmë, i cili shpeshherë bëhet viktimë e konflikteve të reja dhe atyre të vjetra që janë trashëguar nga e kaluara.
n.e/NOA