E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO,"blindohet" Kelni e Baden-Baden

Samiti i NATO-s që filloi dje dhe vazhdon sot në Strasburg (lindje) dhe në qytetet gjermane Kehl dhe Baden-Baden ka mobilizuar nga pala franceze 9 000 policë dhe xhandarë, ndërsa priten të manifestojnë 35 000 - 40 000 vetë sipas Ministrisë së Brendshme. Në Strasburg, 6 200 anëtarë të Forcës Republikane të Sigurisë, 900 policë të Sigurisë Publike dhe 800 xhandarë janë ngarkuar me sigurinë e 2 000 personaliteteve dhe 80 qendrave të klasifikuara si "të ndjeshme" (hotele për delegacionet, Pallati i Kongreseve ku do të mblidhen kryetarët e qeverive, lagja e katedrales dhe Pallati Rohan).Tridhjetë kilometra pengesa metalike janë vendosur që të enjten në mbrëmje, ndërsa rreth njëqind vende publike (muze, shkolla, administrata, universitete, opera, teatro) janë mbyllur. Afro 40.000 persona që banojnë në zonat e kuqe dhe portokalli që mbulojnë gjysmën e qendrës së qytetit duhet të qarkullojnë me bexhet e identifikimit. Hyrja në katër zonat e rrethuara bëhet nga njëra prej pesëmbëdhjetë pikave të kontrollit.Në qendër të qytetit, dispozitivi i sigurisë është forcuar nga afro njëzet njësi të GIPN të Strasburgut (Grupi i Nërhyrjes së Policisë Kombëtare) dhe 50 elementë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Jashtë Strasburgut, afro 40 xhandarë të njësive elitë franceze GIGN dhe njëqind policë të njësisë gjermane GSG9 janë vendosur në një platformë të përbashkët mbi Rin, gati për të ndërhyrë . Tre helikopterë "Puma" do të mbikëqyrin nga lart manifestimet anti-NATO në lagjen e Portit të Rinit. Hapësira ajrore, është nën "mbikëqyrje" të lartë, dhe pjesa e krijuar mbi tre qytetet që organizojnë samitin do të patrullohet nga radarët aeroportualë dhe avionët "Aëacs".Gjashtë avionë "Tucano" qëndrojnë gjithashtu gati për t'u ngritur nga qyteti i Colmarit.Një bateri antiajrore është vendosur gjithashtu në aerodromin e Poligonit, ku qendrojnë helikopterët e Forcave Ajrore Franceze. Kjo bateri përbëhet nga dy qendra për lëshimin e raketave "Crotale" dhe zbuluesve me kamera termike. Nga ana tjetër e Rinit, Gjermania ka mobilizuar 15 000 policë dhe 600 ushtarakë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›