E Diel, 1 Nëntor 2026

Putin kërcënon:Gazi mund të ndërpritet sërish

Kryeministri i Rusisë Vladimir Putin ka deklaruar ditën e enjte se dërgesat e gazit rus që kalojnë nëpërmjet Ukrainës drejt Europës do të ndërpriten sërish, nëse Kievi nuk paguan deri të shtunën faturat e gazit për muajin shkurt."Nëse vazhdohet të mos bëhet pagesa për aksionet e marra nga selia e kompanisë ukrainase 'Naftogaz', ne do të ndërpresim dërgesat e gazit për konsumatorët ukrainas dhe ndoshta dhe europianët", është shprehur Vladimir Putin, i cili citohej nga një televizion rus. Ndërkohë që shoqëria ukrainase e hidrokarbureve "Naftogaz" siguroi se do të shlyente deri në fund të ditës së enjte faturën e saj për gazin rus të konsumuar gjatë muajit shkurt. "Deri në fund të ditës ne do të paguajmë krejtësisht faturën për gazin e konsumuar gjatë muajit shkurt", deklaroi zëdhënësi i "Naftogaz", Valentin Zemlianski. Sipas tij, "Naftogaz" ka paguar këtë javë 310 milionë dollarë dhe i kanë mbetur dhe 50 milionë të tjerë për të hedhur në llogarinë e gjigantit rus "Gazprom". Acarimet e reja midis Rusisë dhe Ukrainës vijnë vetëm pak javë pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve më të fundit për gazin rus, të cilat rrezikuan furnizimin e vendeve europiane në ditët më të avarta të vitit. Pas shumë negociatash dhe thirrjesh ndërkombëtare dy palët arritën të gjejnë një consensus, duke bërë që të vijonte kalimi tranzit i gazit rus, nëpërmjet territorit ukrainas, drejt vendeve europiane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›