E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri u trembet tifozeve shqiptare

Në kualifikueset e Botërorit 2014, Zvicra do të luajë kundër Shqipërisë me pesë futbollistë me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Valon Behramin, Blerim Xhemajlin dhe Admir Mehmedin.
Përballja e parë kualifikuese e kuqezinjve të De Biazit me helvetikët do të luhet më 11 shtator në Zvicër, vetëm 4 ditë pas debutimit me Qipron në shtëpi. Ndërkohë, sipas kalendarit takimi i kthimit do të luhet më 11 tetor 2013 në Shqipëri.
Është pikërisht kjo sfidë, ajo të cilës i trembet Xherdan Shaqiri, që shfaqet i shqetësuar për mënyrën sesi do të pritet nga tifozët shqiptarë. Në fakt, mbështetësit e Kombëtares kuqezi vazhdojnë ta cilësojnë tradhëti aktivizimin e Shaqirit, por edhe katër yjeve të tjerë shqiptarë me Zvicrën. 
“Duhet ta shikojmë mirë, nuk e di sa e rrezikshme do të jetë në Shqipëri, tha ylli i Bazelit, që prej sezonit të ardhshëm do të luajë me Bajernin e Mynihut. 
“Kam dëgjuar se tifozët janë të rrezikshëm. Mua personalisht në ‘facebook’ më kanë shkruar shumë gjëra, më kanë thënë se jam tradhtar, gjë që nuk është e vërtetë sepse nuk jam thirrur nga Shqipëria. Për këtë arsye nuk e di si do të jetë atmosfera në Shqipëri. Por, në Zvicër besoj se do të kalojmë më mirë”, nënvijëzoi Shaqiri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›