E Diel, 1 Nëntor 2026

Mancester Siti u kualifikua per 1/8 e finaleve te Liges se Europes

Një fitore e thellë është tregues force dhe duket se anglezët duan ta mbrojnë nderin e tyre në Ligën e Europës. Kjo sepse Mançester Siti u kualikua mes 16 skuadrave më të mira, pra për një të tetat, duke eleminuar Porton me fitoren 4-0, ndërsa Mançester Junajtid i ka të gjitha mundësitë për të kaluar turin ndaj Ajaksit.
Skuadra e Mançinit kaloi në epërsi që pas 19 sekondash me golin e shënuar nga Sergio Kun Agero, një avantazh që dha më shumë siguri pasi takimi i parë në Portugali ishte fituar 2-1.
Argjentinasi luajti në mënyrë të shkëlqyer gjatë gjithë ndeshjes duke shërbyer edhe golin e dytë të shënuar nga boshnjaku Edin Xheko.
Më tej, Zhorge Rolando u nxorr me karton të kuq për Porton e cila nuk qe në gjendje të mbahej më tej me 10 lojtarë në fushë. Anglezët e shfrytëzuan epërsinë numerike duke shënuar dy herë në minutat e fundit.
Fillimisht, David Silva trefishoi avantazhin me një gjuajtje pranë portës, shërbyer nga David Pizarro dhe më tej ishte radha e lojtarit të ardhur nga Roma në janar, që të mbyllte llogarinë në stadiumin “Etihad”.
Siti pret përfundimin e ndeshjeve të tjera për të mësuar më pas shortin, ndërsa skuadra e sheikëve gëzon statusin e një pretendenteje kryesore për të fituar titullin e dytë europian pas Kupës së Kupave rrëmbyer më 1970.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›